Kylian Mbappe dhe Real Madridi kanë arritur marrëveshje dhe kanë nënshkruar kontratë para dy javësh, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 korriku.
Për këtë është e sigurt e përditshmja spanjolle “Marca” në versionin e saj online, përcjell “Gazeta Express”.
Sulmuesi francez do të bëhet lojtar i ri i “Los Blancos” gjatë verës që vjen.
Kështu, pas 133 ditësh, futbollisti i Paris Saint-Germainit do të përfundojë tek “Merengues” në atë që po konsiderohet si njëri prej transfereve më të mëdha të shekullit XXI.
Palët i kishin nisur bisedimet që nga viti 2017, por Mbappe pas Monacos e kishte zgjedhur Paris Saint-Germainin.
Tash kur do t’i skadojë kontrata me parisienët, nënkampioni i botës do ta realizojë ëndrrën fëmijërore për t’iu bashkuar Realit.
Mbappe do të përfundojë në Madrid “gratis” pasi madrilenët s’do të kenë nevojë të paguajnë dëmshpërblim.
Ai pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me klubin e presidentit Florentino Perez.
Presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaifi do ta bëjë tentimin e fundit, por duket se tash është vonë dhe Mbappe e ka mendjen diku tjetër.
Vetë futbollisti ua ka bërë të qartë së fundmi drejtuesve të klubit aktual se nuk do ta vazhdojë kontratën dhe se dëshiron të largohet, natyrisht pa e specifikuar klubin e tij të ardhshëm.
Mbappen e duan edhe gjigantët tjerë evropianë, mbi të gjitha Liverpooli, por ai tashmë do të bëhet madrilen.