Aventura e mbrojtësit brazilian Marcelo te Reali i Madridit mund të përfundojë verën e ardhshme pas 15 sezonesh me fanellën e klubit “merengues”, gjatë të cilave ka arritur të fitojë çdo trofe të mundshëm në Spanjë e Evropë.
Mbrojtësi që në majin e vitit të ardhshëm do të mbushë 33-vjeç, nuk është më një titullar fiks i formacionit të Zinedine Zidane, me këtë të fundit që preferon më shumë anësorin tjetër Ferland Mendy në atë pozicion.
Kjo shpjegohet edhe me shifrat e sezonit të kaluar, ku Marcelo luajti vetëm 24 ndeshje në të gjithë kompeticionet, edhe ato kryesisht kur francezi Mendy ishte i dëmtuar apo lihej pushim për t’u çlodhur.
Mbrojtësi brazilian dëshiron të luajë më shumë dhe për këtë arsye po negocion me drejtuesit e Realit të Madridit prishjen e parakohshme të kontratës që skadon në verën e 2022-shit, pasi kërkon të transferohet në një tjetër klub.
Sipas të përditshmes spanjolle “Don Balon”, Perez është shprehur i gatshëm ta lërë të lirë Marcelon në fund të sezonit, por me kushtin që ai të mos shkojë në asnjë prej klubeve elitare europiane.
Në këtë situatë, mbrojtësi brazilian ka hyrë në negociata me amerikanët e Inter Miamit dhe është gati të transferohet në MLS për të luajtur rregullisht në një skuadër ku përveç të tjerash i garantohet edhe një pagë e majme.