Roli i Madame Corteses, në operën e Rossinit, është një prej atyre që tregon mjaft mirë stilin kërkues të kompozitorit. Këtë rol sopranoja kosovare, Marigona Qerkezi, e cila po bën karrierë jashtë vendit duke u ngjitur në skena botërore, do ta këndojë në dy teatro operistike.
Në muajin shtator ajo do të ngjitet në skenën e “Teatro Sociale di Como”, një tjetër teatër me goxha traditë, i ndërtuar më 1813 me një kapacitet prej 900 ulësesh. Ndërsa një muaj më pas Qerkezi rikthehet në “Teatro Fraschini”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për herë të parë ajo u ngjit në këtë skenë para tre vjetësh me operën “The Marrige of Figaro” të Mozartit. Është një prej shtëpive më të mëdha operistike në Pavia, ndërtuar në vitin 1773. Gjendet në qytetin i cili njihet edhe për pasuri të tjera të trashëgimisë kulturore italiane.
Qerkezi do të veshë petkun e Madame Cortese, rol në “Il viaggio a Reims” të Gioachino Rossinit, me libreto të Luigi Balochi. Kjo është opera e fundit e këtij kompozitori në gjuhën italiane, mjaft komplekse që kërkon 14 solistë.
Qerkezi qe përzgjedhur në mesin e 300 konkurrentëve për të interpretuar në skenën e “Rossini Opera Festival” .