Konsumatorët kosovarë vazhdojnë të jenë pre e mashtrimeve të marketeve, ngase çmimet e produkteve të vendosura në rafte nuk përkojnë me ato në arka.
Me një mashtrim të tillë është ballafaquar të martën një qytetar, i cili ka dërguar në redaksinë e EkonomiaOnline një faturë të “Meridian Express” ku pasqyron dallimin e çmimit të produktit të blerë.
Fatura tregon për çmimin e djathit kaçkavall, mbi të cilin është vendos çmimi 1.83 euro, ndërsa është faturuar 1.98 euro.
I kontaktuar nga EkonomiaOnline, përfaqësuesi i “Meridian Express”, ka thënë se këto raste janë të izoluara duke i konsideruar si gabime të zakonshme njerëzore.
“Mundet me qenë gabim i rastit. Janë gabime njerëzore që ndodhin, në baza ditore. Por sapo vërehen përmirësohen”, tha një përfaqësues i “Meridian Express”.
Selatin Kaçaniku, drejtori i OJQ-së “Konsumatori”, në një prononcim për EkonomiaOnline, ka potencuar se ankesa të tilla tashmë janë në rritje, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga mashtrimet, qofshin ato edhe të paqëllimshme.
Ai nuk ka mohuar mundësinë e gabimeve të paqëllimshme nga ana e marketeve, porse ka pohuar se përsëritja e gabimit shton dyshimin për manipulime dhe mashtrime.
“Ne e shohim se ka shumë mangësi në menaxhimin të marketeve dhe këto mangësi dhe paaftësi, natyrisht se rezultojnë me dëshpërimin e qytetarëve konsumatorë. Arsyetimet e marketeve nuk zgjedhin punë, vetëm sa e shtojnë dyshimin për manipulim dhe humbasin besimin e konsumatorëve”, ka thënë Kaçaniku për EkonomiaOnline.
E drejta e konsumatorit në Kosovë ka filluar të mbrohet qysh në vitin 2004 dhe se gjobat për ato kompani, të cilat identifikohen se kanë bërë reklama mashtruese, sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, janë prej njëmijë euro deri në tremijë euro.
Mirëpo, Kaçaniku thotë se si organizatë që merren me mbrojtjen e konsumatorit, kanë adresuar kritika në drejtim të institucioneve gjegjëse, të cilat nuk po marrin masat e duhura për mbrojtjen e kuletës së qytetarëve.