Ministri i Jashtëm i Marokut, Nasser Bourita, ka kundërshtuar të enjten propozimet e Bashkimit Evropian për të hapur qendra të migrantëve në vendin e tij, transmeton AFP.
“Maroku kundërshton sikur edhe më parë këto metoda për të menaxhuar çështjen e valës së migrantëve”, ka thënë Bourita, pasi është takuar me homologun e tij spanjoll, Josep Borrell, në Rabat.
Ai i ka cilësuar këto masa si “zgjidhje të lehta” dhe “joproduktive”.
Së bashku me Tunizinë dhe Shqipërinë, Maroku ka qenë njëri nga vendet që është përmendur si lokacion i mundshëm për të krijuar qendra strehimi për migrantët jashtë Evropës.
Kjo njëherësh përbën çështjen kryesore të diskutimit në samitin e BE-së.
Spanja është destinacioni i tretë për migrantët në vendet e Bashkimit Evropian, pas Italisë dhe Greqisë.
Migrantët janë duke përshkuar të ashtuquajturën rrugë të Mesdheut për të arritur në Evropë.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka treguar se rreth 12,155 persona kanë arritur në Spanjë gjatë këtij viti, derisa 292 kanë vdekur gjatë rrugëtimit.
Të dhënat e kësaj organizate tregojnë se në total, 1,000 persona kanë vdekur në Mesdhe gjatë këtij viti.