Marrëveshja me Danimarkën për burgjet, Edi Rama pyetet nga RAI3 nëse ai ia kërkoi këtë Kosovës

Prishtinë | 03 Qer 2024 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është përballur mbrëmë me gazetarin italian të Rai, Giorgio Mottola, pasi televizioni bëri një hulumtim që pretendon se marrëveshja e tij me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni për migrantët.

Marrëveshjen, sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri migrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, Rai e lidh me ndërhyrje politike dhe ekonomike nga organizata mafioze.

Gazetari ndër tjerash e ka pyetur Ramën nëse do të ndërtohen qendra të reja për pritjen e mmigrantëve nga Italia dhe nëse ai i ka kërkuar Kosovës që të hapë qendra të tilla.

“Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?”, ishte pyetja e Mottolas.

“Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë”, tha Rama në përgjigjje.

Më tej, gazetari italian e pyeti nëse kryeministri shqiptar i ka kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera.

“Unë? Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo”, është përgjigjur Rama.

Por kryeministri shqiptar nuk ka mohuar se kjo mund t’i jetë kërkuar Kosovës nga të tjerët. Këtu ai e përmendi Danimarkën.

“Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur”, tha Rama.

“Ah, Danimarka donte të ngritte qendra për migrantët në Kosovë?”, pyet gazetari.

“Më duket se ka pasur një diskutim të tillë”, thotë Rama.

Kuvendi i Kosovës para disa ditësh e ka ratifikuar një marrëveshje për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në Gjilan, në të cilin pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë.

Sipas marrëveshjes 10-vjeçare të nënshkruar në vitin 2022, Kosova do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan.

Të ngjashme