Marrëveshja me Gjermaninë, hap drejt migracionit të ligjshëm të punës

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 15:23 | Nga

Shqipëria dhe Gjermania do të bashkëpunojnë për nxitjen e migracionit të ligjshëm të punës dhe frenimin e migracionit të parregullt.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”, synon forcimin e kontributeve të migrantëve për zhvillimin e vendeve të tyre të origjinës dhe përmirësimin e kushteve për migracionin e ligjshëm në vendet e përzgjedhura partnere.

Komisioni i Kuvendit për Ekonominë, diskutoi sot projektligjin nëpërmjet së cilës institucionet përkatëse synojnë të luftojnë migracionin e parregullt, duke ofruar informacion për rrugët e ligjshme të migracionit të punës dhe duke informuar lidhur me arsimin dhe formimin profesional e perspektivat e tregut të punës, si në Gjermani, ashtu edhe në Shqipëri.

Bashkëpunimi do të fokusohet në fushat e këshillimit për migracionin dhe, më konkretisht, në këshillimin dhe informimin e grupeve të caktuara mbi mundësitë e migracionit të ligjshëm të punës dhe perspektivat e arsimimit dhe të punësimit në Shqipëri; përditësimin dhe ofrimin e materialeve informative rreth migracionit të punës, mundësitë për hyrje në tregun gjerman të punës dhe trajnimet përkatëse për personelin e sporteleve të migracionit etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme