Firmëtarët që i kanë mbetur besnikë marrëveshjes bërthamore me Iranin thonë se do të ngrenë një sistem të ri pagesash për të ruajtur bizneset me vendin dhe për të anashkaluar sanksionet amerikane.
Sistemi do t’iu mundësonte kompanive të naftës dhe bizneseve të vazhdonin tregtinë pa u bazuar te tregu global i udhëhequr nga SHBA dhe dollari amerikan.
Por, sesi do të funksionojë ekzaktësisht sistemi, kjo ende nuk është përcaktuar.
Më herët këtë vit, presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe riktheu sanksionet.
Marrëveshja u negociua gjatë Presidencës së Barack Obamës dhe parashikonte që Irani të reduktonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini njoftoi për planin e ri, pas takimeve të mbajtura në OKB me pjesëtarët e mbetur të marrëveshjes: Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia, transmeton TCH.
Në një deklaratë thuhej se, ata ishin të vendosur të mbronin lirinë e operatiorëve të tyre ekonomikë në biznesin e ligjshëm me Iranin.
Sidoqoftë, Mogherini tha se ekspertët teknikë do të diskutonin detajet e mekanizmave të reja të pagesave. Analistët, megjithatë, dyshojnë se një mekanizëm i tillë është i mundshëm të ngrihet, pasi vet Amerika mund të modifikojë sanksionet për të përfshirë çdo sistem të ri.