Marrëveshja për Efikasitetin e Energjisë, Ahmeti: Lipjani përfiton rregullimin e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 15:02 | Nga Diellza Gashi

Marrëveshja për Efikasitetin e Energjisë nga e cila do të përfitojnë gjashtë komuna përfshinë për 13 objekte publike, raporton Ekonomia Online.

Komuna e Lipjanit përfiton nga kjo marrëveshje rregullimin e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti.

Ahmeti në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se kjo është një mundësi e rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës, siç është rregullimi i shkollës fillore “Shtjefën Gjeqovi” në Janjevë.

“Nuk është çështje e fitimit, ne kemi aplikuar më shumë se dy vite, natyrisht që interesimi ynë ka qenë që me fituar këtë mundësi për ta rinovuar në tërësi shkollën fillore “Shtefjen Gjeqovi” në Janjevë sepse kemi nevojë. Natyrisht na ka munguar përkrahja e Qeverisë, këtë e kemi aplikuar, kemi plotësuar kriteret, kemi hyrë në një skemë të kthimit. Këto nuk janë mjete që nuk kthehen, këto janë mjete që i marrin komunat dhe janë të detyruara për çdo vit të kthejnë pjesën e mjeteve që marrin këtë rast”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai theksoi se mjetet që do të përdoren janë të komunave dhe ato do të kthehen çdo vit për një periudhë 15-vjeçare.

“Komuna jonë, 353 mijë euro jemi zotuar sipas marrëveshjes që t’i kthejmë vit pas viti këto mjete, meqenëse na kanë munduar fondet dhe nuk kemi pasur mjete të tjera financiare, për neve ka qenë e mirëseardhur, do t’i programojmë për t’i rikthyer pastaj për 15 vite përndryshe nuk është mirë që t’i shes Qeveria si investim që i bënë komunave, sepse këto janë mjete faktikisht të komunave”, theksoi ai.

I pari i Lipjanit tha se fondet janë të komunës dhe janë të detyruara t’i kthejnë ato tek Qeveria e Kosovës.

“Këta bëjnë mundësinë për ta shfrytëzuar, por e jona për t’i kthyer natyrisht që nuk ka interes sepse Qeveria nuk mund t’i jep institucioneve lokale mjete buxhetore me interes apo me provizion  për kthim, por janë paraparë edhe disa prej shkallëve të kthimit këtyre mjeteve përgjatë viteve që është nënshkruar kjo marrëveshja. Ajo është esenciale mjetet janë të komunave dhe komunat kanë me i kthyer nuk janë mjetet të Qeverisë që nuk do të kthehen. Natyrisht ka pasur nevojë për më shumë investime”, ka thënë i pari i Lipjanit.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se kjo marrëveshje kap shifrën e 3.8 milionë euro, e financuar tërësisht nga Qeveria e Kosovës.

Të ngjashme