Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezën “Çfarë presim nga faza e re e dialogut Kosovë-Serbi”. KDI me përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë diskutuar rreth të ardhmes së këtij procesi, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu tha se vitin e ardhshëm mund të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi duke punuar që ky proces te jetë transparent. Në vitin 2019 ndoshta shihet si mundësi për arritjen e një marrëveshjeje në mes të dy shteteve”.
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se dialogu teknik ka sjellë disa marrëveshje që e kanë lehtësuar jetën e qytetarëve, pavarësisht se disa nuk janë zbatuar.
Maliqi vlerësoi se është e rëndësishme që dialogu të përshpejtohet. Sipas tij, Kosova ka të drejtë të anëtarësohet në OKB, por kjo mund të arrihet vetëm me vulën e ndërkombëtarëve.
“Dialogu teknik mund të sjellë zgjidhje për probleme jetike, si lëvizja e lirë. Disa nuk po zbatohen por ato e kanë lehtësuar jetën e qytetarëve dhe disa marrëveshje politike që janë arritur nuk jaë për tu nënçmuar. Është një monentum i rëndësishëm që ky proces të përshpejtohet. E kemi vullnetin, duhet ta kemi të drejtën e vetëvendosjes. Për me ardhur deri të ky momentum duhet të ketë vulën e ndërkombëtarëve. Këshilli i Sigurimit duhet ta jep këtë kalueshmëri, atë vulë që Kosova të behët pjesë”.
“I kemi 25 fuqi që e kontrollojnë Këshillin e Sigurimit tw OKB-së. Me këtë status quo që e kemi e bën situatën të pakthyeshme”.
Publicisti Baton Haxhiu, tha se Kosova vazhdon të ketë stagnim të theksuar në vendimmarrje dhe atyre organizative.
Ai tha se BE-ja i kërkon Serbisë disa kushte për tu anëtarësim, njëra nga to edhe normalizimi i raporteve përmes një marrëveshjeje, por sipas Haxhiut Serbia nuk i ka plotësuar këto kushte.
“Shkalla e konsolidimit në sferën publike dallon prej vendeve sipas shteteve. Vuçiqi në serbi vendos për qytetarët e vet pa problem. Bosnja e Hercegovina vazhdon të këtë problem, mali i zi vazhdon të ketë një parlament të brishtë. Kosova vazhdon të ketë stagnim të theksuar në vendimmarrje dhe atyre organizative që janë pasojë e koalicionit qeverisës dhe vetëm dy votave më shumë”.
“Gjasat për të ndryshuar kjo strukturë politike dhe qeverisëse është minimale. Strategjia e Këshillit tw Evropës i kërkon Serbisë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Serbia as afërsisht nuk i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në BE”.
KDI ka prezantuar edhe një analizë të shkurtër me temë “Dialogu Kosovë-Serbi: sfida dhe rruga përpara”, dokument i cili ofron një përmbledhje të procesit shtatë vjeçar të dialogut duke propozuar parimet mbi të cilat duhet të ecë përpara ky proces.
Sipas kësaj analize i gjithë procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është karakterizuar me mungesë llogaridhënie nga përfaqësuesit e Kosovës.
Jeta Krasniqi nga KDI duke prezantuar këtë analizë tha se në fazën e re të dialogut ekipi negociues i Kosovës duhet të mbështetet nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme.
Sipas saj, roli i Kuvendit duhet të jetë aktiv dhe marrëveshjet që pritet të arrihen të mos prekin sistemin unitar dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës.
“Faza e re e dialogut duhet të zhvillohet në bazë të disa parimeve. Është e rëndësishme që ekipi negociuës të jetë i mbështetur nga një grup ekspertësh. Duhet të ketë konsensus politik. Roli i kuvendit duhet të jetë aktiv për ti dhënë legjitimitet këtij procesi. Temat që duhet të përfshihen janë çështja e të pagjeturve, shuarja e strukturave paralele etj. Marrëveshjet të mos prekin sistemin unitar të shtetit dhe të mos preket integriteti territorial. Epilogu duhet të jetë njohja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB”.
Në fazën e re të dialogut, sipas KDI-së, duhet të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i procesit të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura.
Sipas analizës rezultatet e këtij procesi duhet të sjellin konsolidim të brendshëm shtetëror dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.