Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, #mosthujsekamdite, ngrehin shqetësime mbi faktin se TC Kosova e Re është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe të BE-së mbi Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore.
Marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal (GenCo) përmbajnë elemente të Ndihmës Shtetërore. Qeveria e Kosovës morri përsipër obligimin për të paguar ngarkesën për kapacitet dhe për të blerë energjinë elektrike të prodhuar për një periudhë 20-vjeçare. Marrëveshja thotë se çmimi i synuar prej €80/MWh do të garantohet për tërë këtë periudhë.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, qeveria ka krijuar ndërmarrjen publike NKEC për të vepruar si ndërmjetës mes Kosovës, GenCo-s dhe kompanive të distribucionit në Kosovë. NKEC obligohet t’ia paguajë GenCo-s energjinë elektrike nën një çmim të garantuar, që përfshin një pagesë të lartë për kapacitet. Kjo marrëveshje parashihet të veprojë si destimulues për investitorë që duan të hyjnë në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për një periudhë 20-vjeçare. Ajo nuk i lejon NKEC dhe kompanive të furnizimit të energjisë të blejnë energji elektrike me çmime potencialisht më të ulëta në tregje të hapura në Kosovë dhe në rajon.
Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re me termet e nënshkurara do ta bllokojë energjinë elektrike të Kosovës nga tregu evropian. Kosova do të jetë e obliguar me kontratë ta blejë energjinë elektrike nga termocentrali i ri me thëngjill edhe nëse çmimi i tregtimit të saj është më e ulët sesa ajo në tregun ndërkombëtar. Bazuar në projektimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, çmimi mestar i energjisë elektrike në rajon në vitin 2023 do të jetë rreth €50-60/MWh ose për €20-30/MWh më pak se sa çmimi i cili do t’i paguhet GenCos përgjatë periudhës 20-vjeçare. Termocentrali i ri në Kosovë do të bëjë që linjat e interkoneksionit të jenë joefektive, duke qenë se Kosova nuk do të hyjë në tregti me shtetet tjera evropiane.
Të gjitha pagesat për shfrytëzim të sistemit do t’i ngarkohen NKEC dhe jo ContourGlobal. Prodhuesit tjerë të energjisë elektrike janë përgjegjës për t’i mbuluar këto pagesa dhe i bën ata më pak konkurrues. Përjashtimi vetëm i ContourGlobal nga obligimi i kësaj pagese përbën diskriminim ndaj prodhuesve tjerë dhe është në kundërshtim me balancimin e bazuar në treg. Qeveria e Kosovës do të duhet ose të subvencionojë shfrytëzimin e rrjetit dhe transferimin e balancit, ose ta socializojë koston e shfrytëzimit të marrëveshjeve të njëpasnjëshme dhe më pas të njëjtat t’ia faturojë konsumatorëve fundorë (qytetarëve të Kosovës).
NKEC e privilegjon ContourGlobal në furnizim të linjitit në krahasim me konkurruesit tjerë në gjenerim. Ajo i garanton thëngjillin më efikas për një çmim më të ulët, duke ua lënë konkurrentëve thëngjillin më pak efikas për një çmim më të lartë. Dhe së fundi, marrëveshja për transferimin e lokacionit përbën një tjetër rast të Ndihmës Shtetërore në këto kontrata. Qeveria e Kosovës do t’ia bartë disa pjesë të tokës shtetërore palës tjetër me një çmim që është shumë nën çmimin mesatar të tregut. Kjo do t’i japë ContourGlobal përparësi ndaj prodhuesve tjerë të energjisë elektrike.
Përkundër efektit dëmtues mbi konkurrencën, TC Kosova e Re shkelë të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare. TC Kosova e Re është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe të BE-së mbi konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore. Qeveria e Kosovës ka lidhur një kontratë me një subjekt i cili do të ndërtojë termocentralin e ri pa kërkuar miratimin e departamentit për Ndihmë Shtetërore, siç kërkohet me ligj.
Nga tetori i vitit 2015, Kosova është palë nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Neni 77(c) i kësaj marrëveshjeje, ngjashëm me ligjet e BE-së, ndalon angazhimin e përkrahjes së shtetit për subjekte në rast se mund të ndikojë konkurrencën. Dështimi për t’iu përmbajtur kësaj marrëveshjeje mund të ndërpresë negocimin për hyrje në BE.
Aktualisht, ContourGlobal (GenCo) është në fazën përfundimtare të sigurimit të një kredie për të financuar projektin TC Kosova e Re. Pas finalizimit të kredisë, garancia e kredisë duhet të shkojë në parlamentin e Kosovës për miratim.
Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës mos të votojnë garancinë e kredisë në Kuvend. Nëse projekti miratohet, Kosova rrezikon t’i pezullohet e drejta e votës në Këshillin e Ministrave të Sekretariatit të TKE, ta dëmtojë veten në procesin e bashkimit në BE, duke qenë se nuk po e zbaton marrëveshjen e MSA, si dhe të përballet me padi në gjykatat nacionale për shkelje të ligjeve nacionale për Ndihmën Shtetërore.