Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është mbajtur protesta në mbrojtje të vajzës, e cila ditë më parë u rrah në Rahovec nga xhaxhai i saj.
Marshi protestues është organizuar nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës duke filluar në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë vendosur disa pankarta.
Në këtë marsh morën pjesë edhe figura publike nga sfera të ndryshme të jetës në Kosovë. Në mesin e tyre janë edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe deputetja Blerta Deliu- Kodra, Vlora Dumoshi shefe për protokol në kabinetin e kryeministrit Mustafa.
Ministrja Dhurata Hoxha, e cila ka marr pjesë në marshin protestues kundër dhunës së shfaqur ndaj 16 vjeçare në Rahovec nga familjarët e saj, ka dënuar këtë rast.
Hoxha shpreh shqetësimin e saj, lidhur me dhunën ndaj të miturve dhe fton të gjithë faktorët institucional e shoqëror për zbatimin e ligjit me prioritet, ku cenohen të drejtat e të miturve dhe femrës, por edhe çfarëdo dhune.
“Jam e tronditur nga rasti i dhunës ndaj të miturës në Rahovec. Rasti i tillë shpresojmë të mos përsëritet dhe organet përgjegjëse duhet të marrin vendime për pengimin dhe luftimin e kësaj dukurie, por edhe çfarëdo dhune”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.
“Në kuadër të strategjive multidiciplinare të pengimit, raportimit dhe çrrënjosjes së dukurive negative dhe dhunës ndaj të miturve, Ministria e Drejtësisë, do t’i trajtojë me prioritet. Kodi i drejtësisë për të mitur, tashmë gjendet në fazën finale të shqyrtimit dhe pritet që këtyre dukurive negative me veprime ligjore, t’u jepet zgjidhje adekuate’, ka thënë ministrja.