Marti ndihet i lënë në baltë nga Qeveria e Zvicrës, e cila “nuk dëshiron të prishet me Serbinë për të”

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Problemi, është shprehur Marty, është se qëllimi është kufizuar vetëm në mbrojtjen e tij, por nuk ka një strategji reale për të eliminuar kërcënimin.

Qeveria Federale e Zvicrës, vërtet i ka siguruar ish-hetuesit special të Këshillit të Evropës për Kosovën mbrojtjen më të mirë nga atentati i mundshëm. Por ai ka mbetur i vetëm me pyetjet e tij, të cilave qevreia nuk u përgjigjet.

Një rast kaq ekstrem nuk ka pasur kurrë në Zvicër. Siç është shkruar tahsmë, Dick Marty, ish-prokuror publik në Ticino, hetues special për Kosovën dhe CIA-n, nga Këshilli i Evropës, është nën mbrojtjen e policisë, për 16 muaj, transmeton albinfo.ch. Kjo mbrojtje speciale u vu në veprim pas njoftimit për planet e një grupi të agjentëve ekstremistë të shërbimit sekret serb.

Me sa duket plani ishte që të fajësohej Kosova për krimin. Si hetues special, Marty kishte ushtruar akuza të rënda kundër ish-kryeministrit dhe ish presidentit Hashim Thaçi, i cili aktualisht po përballet me akuza para një gjykate speciale ndërkombëtare.

Ajo që i habit vëzhguesit e jashtëm është se në këta “16 muaj vetmie”, asnjë nga anëtarët e Këshillit Federal të përfshirë në këtë çështje nuk ka kontaktuar asnjëherë me Martin. Qoftë edhe për ta pyetur për shëndetin. Madje, as ministri i Jashtëm Ignazio Cassis, i cili jo vetëm i përket FDP-së si Marty, por vjen edhe ai nga kantoni Ticino.

Në emisionin “Mille Voci” të mërkurën e kaluar, gazetari i RSI-së u habit që Cassis kishte deklaruar se ai dinte “pak ose aspak” për rastin, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. I pyetur nëse nuk ndihej i zhgënjyer, Marty, i cili ishte i ftuar në emision, u përgjigj se Këshilli Federal ishte marrë me këtë çështje të paktën dy herë. Në dhjetor 2020, kur kishte angazhuar një njësi speciale të ushtrisë për të mbrojtur Marty. Dhe në gusht 2021, kur Këshilli Federal autorizoi Prokurorin e Përgjithshëm për të filluar procedimin penal. Prandaj, asnjë këshilltar federal nuk mund të pretendojë se nuk ka informacion për rastin.

Marti kërkon shpjegim se përse mbizotërojnë konsideratat politike dhe jo ato të shtetit të së drejtës

Problemi, është shprehur Marty në emision, është se, për arsye politike, qëllimi është kufizuar vetëm në mbrojtjen e tij, por nuk ka një strategji reale për të eliminuar kërcënimin. Kjo ndodh edhe pse dihet se një nga detyrimet e shtetit të së drejtës është që të ndjekë penalisht kriminelët që kërcënojnë jetën e të tjerëve, thotë Marty.

Ishte “dëshpëruese” që për të gjithë politikanët “që vendosin në këtë rast, konsideratat politike janë më të rëndësishme se shteti i së drejtës”. Supozohet se Këshilli Federal po “frenon” sepse, për arsye të politikës së jashtme, nuk dëshiron t’i prishë punët me serbët.

Me gjasë, ky ishte edhe supozimi i prokurorisë federale, të cilës iu deshën tetë muaj para se të merrte më në fund autorizimin nga Këshilli Federal për të ushtruar ndjekjen penale, përcjell albinfo.ch. “Të gjitha faktet” ishin tashmë në tryezë në dhjetor 2020, ka thënë Marti në emisionin radiofonik. Sipas raportimeve, emrat e personave që dyshohet se janë përfshirë në konspiracion ishin gjithashtu të njohur në atë kohë.

Po pse EDA (Ministria e Jashtme), kreu i EDA, nuk ka kontaktuar asnjëherë me Martin? Sipas Franco Cavallit, ish-deputet nacional i PS-së nga Ticino dhe mik i Marty-t, këtu ka arsye më të thella. Marty, i cili konsiderohet shumë i pavarur politikisht dhe ka një qëndrim të lartë për shtetin, është, sipas Cavallit, jopopullor në FDP-në e sotme. Para zgjedhjeve të Këshillit Federal në 2017, Marty nuk e fshehu faktin se ai nuk ishte për Cassisin, por për Laura Sadis, një kandidate po ashtu nga FDP e Ticinos.

Marty “ishte po ashtu gjithmonë shumë kritik ndaj bankave, gjë që nuk është pritur mirë as në FDP”. Marty gjithashtu kishte kundërshtuar ashpër ministren drejtësisë, Karin Keller-Sutter (nga FDP), vëren Cavalli, transmeton albinfo.ch.
Pra, a po paguan edhe Dik Marti çmimin për pavarësinë e tij (partiake), për pozicionet e tij shpesh të pakëndshme?

Keller-Sutter: Për arsye sigurie, nuk kontaktohet personi i mbrojtur

Ministrja e Drejtësisë Karin Keller-Sutter nuk e ka kontaktuar Marty-n, siç konfirmon departamenti i saj. Ajo nuk e njeh personalisht Marty-n dhe ajo nuk ka qenë kurrë në kontakt me një person të mbrojtur. Për të siguruar mbrojtjen më të madhe të mundshme, vetëm ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt dhe operativisht në mbrojtje janë në kontakt me personin e mbrojtur. Në këtë rast, shefja e departamentit qe informuar vetëm për faktin se policia kantonale e Ticinos kishte kërkuar mbështetje nga ushtria, përcjell albinfo.ch. “Kreu i departamentit kishte paraqitur kërkesën në Këshillin Federal për vendosjen e përkohshme të ushtrisë për të siguruar mbrojtjen e Dick Marty”, thonë në Ministrinë e Drejtësisë.

Megjithatë, të paktën një këshilltar federal ka kontaktuar Mart-yn, kur ai ishte me pushime në Ticino: Ai është Ministrin i Brendshëm Alain Berset (PS). Ata kanë qenë miq që nga koha e tyre e përbashkët në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës.

Të ngjashme