Martin Berishaj të mërkurën foli përsëri. Nuk tha diçka të re, por i mohoi përsëri akuzat për përfshirjen e tij në një sakandal financiar. Përmes Facebook-ut, ambasadori i Kosovës në Kroaci tregoi se në verë e kishte njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit për versionin e tij rreth kësaj çështjetje. Megjithatë, duket se e-maili i tij s’e ka bindur këtë institucion, i cili e kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal kundër ambasadorit. Prokuroria është duke e hetuar.
Edhe pse i mbrojtur rreptësisht nga krerët e shtetit në Kosovë në lidhje me implikimin e tij në një skandal të madh financiar, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk u ndje shumë rehat të mërkurën pasdite, duke shkruar nga Zagrebi një tjetër “deklaratë publike” në Facebook.
Ai tha se nuk është pronar e as aksionar i asnjë kompanie. Por, mediat në Slloveni kanë raportuar se përmes kompanisë së tij “MB Consulting”, Berishaj kishte marrë 600 mijë euro nga dega në Serbi e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I, të cilat i kishte tërhequr të gatshme.
“Nisur nga pretendimet dhe akuzat e pabaza që janë prezantuar nga disa media në Kosovë, jam i shtyrë që të dal publikisht me këtë deklaratë për qëllim të informimit të saktë të opinionit publik. Që në fillim dua t’ju informoj se nuk jam as pronar dhe as aksionar i asnjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, as në Republikën e Malit të Zi, as në rajon, dhe askund tjetër në botë!”, shkroi ndër tjerash Berishaj.
Për këtë version, Berishaj tha se “e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022”.
Megjithatë, ky institucion u raportua se në gusht të vitit të kaluar kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj ambasadorit.
Nga AKK-ja nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Express lidhur me kalëzimin penal. Berishaj të enjten u përmend edhe nga Kryeministri i Sllovenisë, i cili tha se nuk ka lidhje me të. Por, për këtë aferë rëndojnë plotë pyetje për të cilat të vërtetën mund ta nxjerrin vetëm hetimet.
Çfarë dihet për rastin Berishaj
Prokuroria Speciale fillimisht pati nisur një hetim preliminar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, pasi dorëzimit të kallëzimit penal nga AKK-ja.
Një tjetër kallëzim penal atje është dorëzuar së fundmi edhe nga hetuesit e Policisë së Kosovës. Ata dyshojnë se Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga GEN-i serb përgjatë viteve 2019-2022. Këto para dyshohet se ishin transferuar në xhirollogarinë e kompanisë së Berishajt në një nga bankat në Kosovë si pagesa për konsulencë. Për paratë e mbledhura, kompania e Berishajt thuhet se do të duhej t’i paguante shtetit tatime në vlerë prej 73 mijë eurove, gjë që s’ka ndodhur.
Hetuesit në Kosovë kanë kërkuar raport financiar edhe nga Mali i Zi, përmes Njësisë së Inteligjencës Financiare.
Në hetimet e hetuesve të Policisë u përfshi edhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për përfshirje në një rast korruptiv. Krasniqi, i emëruar në krye të menagjmentit të KEK-ut me mbështetjen e LVV-së, kishte nënshkruar dy marrëveshje të cilat dyshohet t’i kenë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit.
Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci në mars të vitit të kaluar, atje ku Berishaj shërben si ambasador i Kosovës. Hetuesit policorë dyshojnë se ata dy ishin takuar atje.
Skandali në të cilin implikohet ambasadori Martin Berishaj përmban miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura ‘cash’ mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.
Emri i Berishajt u bë gjerësisht i njohur pasi më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” do të raportonte për një skandal të madh financiar, që për kryepersonazh kishte kryeministrin e tanishëm të Sllovenisë, Robert Golob. Ky i fundit raportohej se po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të disa transaksioneve financiare nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I, të cilat për adresë kishin kompaninë “MB Consulting” të Martin Berishajt në Mal të Zi.
Berishaj, përmes “MB Consulting” raportohej se kishte marrë 600 mijë euro, të cilat i kishte tërhequr të gatshme dhe supozohej se ato do t’ia dërgonte Golobit, në mënyrë që atëherë politikani opozitar slloven t’i investonte në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Kur u duk se kaloi, rasti Berishaj doli sërish në skenë pasi Prava, një medium tjetër slloven, raportoi këtë janar për të dhëna të reja. Aty pretendohet se rreth 100 milionë euro u shpëlanë nga kompania GEN-I. Mediumi lidhte transaksionet e parave nga GEN-I në Slloveni te filialet në Beograd, e më pas nga Beogradi në kompaninë e Martin Berishajt.
Mediumi slloven e bënte një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, por pa dhënë shumë informacione.
Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë joqeveritare, thuhej në raportimin e mediumit slloven.
Qeveria e Kosovës i mohoi akuzat përmes zëdhënësit, Përparim Kryeziu.
“Luka Pers, njëri ndër themeluesit e portalit Prava, është një pseudogazetar që ka punuar deri vonë për Nova24TV, organizatë lajmesh e ekstremit të djathtë. Portali është aq i parëndësishëm sa që mezi e gjen online … pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Tëitter i të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”, shkroi Kryeziu në Facebook, duke kritikuar edhe mediat në Kosovë që e kishin përcjellur këtë raportim.
Ai ka kritikuar edhe mediat në Kosovës të cilat e kanë shpërndarë raportimin e këtij mediumi.
Krerët e shtetit vazhdojnë t’i qëndrojnë prapa ambasadorit
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të hënën konfirmoi edhe një herë se nuk e ka ndërmend ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin ka dyshime se është implikuar në një skandal të madh financiar.
Pasi e priti në Prishtinë kryediplomaten e Sllovenisë, Tanja Fajon, Gërvalla tregoi në një konferencë të përbashkët për media se sapo kishte biseduar me ambasadorin.
“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve të fjalëve. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike se pse ambasadori duhet të shkarkohet. Deri në këtë moment nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur”, ka thënë Gërvalla.
Ideja e Berishajt për t’u paraqitur në një konferencë të përbashkët për media së bashku me Gërvallën, duket se i kishte lënë përshtypje të mirë kryediplomates kosovare.
“Sot në mëngjes kam folur me ambasadorin Berishaj dhe ai ka treguar gatishmërinë që ose me shkrim, ose ndoshta, po të kemi mundësi ta sjellim, ta kemi një konferencë të përbashkët për shtyp edhe aty të përgjigjet”, ka thënë ajo.
Menjëherë pasi Berishaj ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza, në prill të vitit të kaluar, kishin reaguar edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, duke i dalë në mbrojtje. Kurti shprehej prerazi se pretendimet ishin të pavërteta.
“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin, e po ashtu ambasadori Berishaj me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padis mediumin, i cili ka shpifur asisoj”, kishte deklaruar Kurti.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, paraprakisht kishte thënë se duhej pasur kujdes lidhur me pretendimet për përfshirjen e ambasadorit Berishaj në skandalin e raportuar financiar.
“Ambasadori ynë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”, pati thënë ai.
Presidentja Vjosa Osmani kishte thënë se i besojnë ambasadorit Berishaj. Ajo i kishte konsideruar dezinformata raportimet e para.
“Është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës, e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore”, kishte thënë Osmani.