Sulmuesi Lautaro Martinez mezi e pret “finalen e vështirë” ndaj Sevillës, derisa ka deklaruar se dëshiron që ta fitojë trofeun e tij të parë me Interin.
Të premten mbrëma nga ora 21:00 në Cologne të Gjermanisë do të luftojnë për trofeun e Ligës së Evropës, Interi dhe Sevilla.
“Jam shumë i lumtur pasi jemi shumë afër që të arrijmë një nga objektivat – të ngremë një trofe”, ka thënë Martinez për UEFA.com.
Interi u kualifikua në finale pasi e mposhti me rezultat të thellë prej 5 me 0 Shakhtar Donetskun.
“Të shpresojmë se ndeshja jonë e fundit në këtë sezon do të jetë një ditë e mirë dhe do të sjellim trofeun në Itali. Në aspektin personal dua të provoj të fitojë trofeun tim të parë me Interin, që do të ishte shumë speciale. Për mua është finalja e parë, do të thoshte trofeu im i parë në karrierë”, shprehet ai.
Tutje ai ka lavdëruar Sevillën, duke e parë një kundërshtar shumë të fortë.
“Sevilla është një kundërshtar shumë i vështirë, që bën presion, vrapon shumë dhe luan futboll fantastik. Kjo është edhe arsye pse kanë arritur në finale”, ka thënë ai.