Gjermania ka përcaktuar një listë të re prej 20 shteteve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.
Në mesin e tyre është edhe Kosova.
Kështu shteti gjerman i ka ashpërsuar masat e hyrjes për këto vende.
Sipas masave të reja anti-COVID, udhëtarët që vijnë nga shtetet që kanë 200 raste të reja në 100 mijë banorë, mund të hyjnë vetëm nëse paraqesin testin negativ të PCR.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, policia kontrollon sistematikisht në aeroporte dhe porte që udhëtarët ta kenë testin negativ me vete, ndërsa në kufijtë tokësorë drejt anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian ku nuk ka kontrolle kufitare, kryhen inspektime të rastit.
Në aeroportin e Frankfurtit, një nga qendrat kryesore të trafikut ajror në Evropë, kryesisht kryhen kontrolle për deklaratën me shkrim të hyrjes në vend dhe testin negativ.
Këto inspektime, të cilat kryhen direkt në aeroplan, do të ndikojnë parashikueshëm në 17 fluturime nga pesë vende për në këtë aeroport këtë të dielë, shkruan gazeta “Welt”.
Ndërkaq në Aeroportin e Munchenit, policia ka rritur praninë e tyre me të njëjtin qëllim.
Në grupin e shteteve që preken nga këto masa, përveç Kosovës, hyjnë edhe Shqipëria, Andorra, Bolivia, Bosnja, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara, Estonia, Irani, Izraeli, Kolumbia, Letonia, Libani, Lituania, Maqedonia e Veriut, Meksika, Mali i Zi, Panamaja, Portugalia, Republika Çeke, Serbia dhe Palestina.
Sipas Institutit Robert Koch, gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani janë shënuar 12 mijë e 257 raste të reja.
Ndërsa u regjistruan 349 raste të vdekjes.