Masa për ruajtjen e dinjitetit të Policisë

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 08:43 | Nga

Arrestimi i komandantit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, javë më parë nga autoritetet serbe ka nxitur drejtuesit e Policisë së Kosovës që të marrin masa për t’ua ndaluar pjesëtarëve të vet lëvizjen nëpër territorin e shtetit fqinj.

Udhëtimet në Serbi, sipas Policisë së Kosovës, rezultojnë të jenë jo të sigurta dhe me pasoja të paparashikueshme për pjesëtarët policorë.
Derisa ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë vendim si të domosdoshëm për ta ruajtur dinjitetin e Policisë, opozita mendon se ky sugjerim ka ardhur pas dështimit të proceseve negociuese.

Daut Haradinaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, thotë se duhet pasur kujdes, siç thotë ai, në terrenet jomiqësore. “Nuk është rasti i parë që na arrestohet polici. Nuk do të thosha që duhet t’i ndalojmë, por duhet të kenë një konsideratë sepse nuk është rasti i parë, kemi edhe raste të tjera që kanë arrestuar policë. Institucionet e sigurisë duhet ta kenë parasysh që në terrenet jomiqësore të kenë kujdes”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, vlerëson veprimet e Policisë si dështim të negociatave me Serbinë. “Ne nuk mund të presim zemërgjerësi e mëshirë nga një shtet që e udhëheqin çetnikët, fashistët e shovinistët. S’mund të presim që Serbia ta marrë seriozisht një qeveri joserioze, siç është kjo jona. Serbinë e ndryshon kushtëzimi i saj. Këtë nuk e bën një qeveri servile e kaq shumë e nënshtruar si kjo, apo edhe si të mëhershmet”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme