Qëndrime diametralisht të kundërta për masat kundër koronavirusit kanë shfaqur krerët e koalicionit qeverisës të shtunën. Ka qenë ndalesa e qarkullimit për qytetarët ajo që ka nxitur një përplasje brenda koalicionit qeverisës.
Teksa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po kërkon që të hiqet kjo masë, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar masa shtesë për fundvit.
“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës. Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, pak para se Hoti të bënte paralajmërimin e tij për masat shtesë.
Hoti u shpreh se shumë shpejt do të propozohen masat e reja shtesë, për shkak të trendit në rritje të rasteve të reja në Evropë e rajon, edhe në Kosovë pritet të ketë rritje të rasteve të reja.
Aktualisht në Kosovë janë të vendosura masat që kanë ndarë komunat në zona varësisht nga numri i rasteve të reja për 100 mijë banorë brenda një periudhe prej shtatë ditësh. Në zonën e kuqe komunat (11) në të cilat në 7 ditët e fundit janë regjistruar më shumë se 150 raste për 100 mijë banorë. Në të verdhën ato (11) që kanë nga 71 deri 150 raste me COVID-19 në 100 mijë banorë për 7 ditë. Dhe në të gjelbrën ato (16) që kanë më pak se 70 raste me COVID-19 në 100 mijë banorë brenda një jave. Bazuar në këto zona, lëvizjet e qytetarëve dhe funksionimi i bizneseve është i ndaluar në mbrëmje, varësisht nga zonat.
Deri tash në nivel vendi janë regjistruar 48 mijë e 337 raste me COVID-19. 1240 prej tyre kanë vdekur e 11 mijë e 307 janë raste aktive.