Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka reaguar për situatën ekonomike në vend.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ekonomia e Kosovës, edhe ashtu e dobët u dëmtua.
Sipas tij, bizneset u detyruan të mbyllen për shkak të virusit Covid-19.
“Të vetëdijshëm se po të vazhdojë kjo dëmet mund të jenë të pariparueshme shumë vende kanë nisur t’i lehtësojnë masat. Kështu do të duhej të vepronim edhe ne. Të fillohet në lehtësim të masave për bizneset, por duke i mbikqyrur sepse virusi ende është mes nesh. Paralel me hapjen e bizneseve, Qeveria duhet t’i përkrahë edhe bujqit. Të paktën ta kemi bukën tonë”, ka shkruar Hasani.
Ai ka theksuar se masat e Qeverisë në detyrë janë drastike.
“I kundërshtoj fuqishëm sepse si të tilla e kanë paralizuar zhvillimin e bizneseve. Thërrisni mendjes sa nuk është vonë sepse papunësia, varfëria e cenojnë stabilitetin”, ka thënë ish-ministri Hasani.
Postimi i plotë i tij:
Ekonomia e Kosovës, edhe ashtu e dobët u dëmtua. Bizneset u detyruan të mbyllen për shkak të virusit Covid-19.
Kompani të vogla, nuk do të arrijnë të mbijetojnë, duke çuar kështu edhe në humbjen e shumë vendeve të punës.
Ekonomitë e vendeve më të zhvilluara kanë kanë nisur t’i llogarisin humbjet, ndonëse virusin e kemi ende të pranishëm gjithandej.
Të vetëdijshëm se po të vazhdojë kjo dëmet mund të jenë të pariparueshme shumë vende kanë nisur t’i lehtësojnë masat.
Kështu do të duhej të vepronim edhe ne. Të fillohet në lehtësim të masave për bizneset, por duke i mbikqyrur sepse virusi ende është mes nesh. Paralel me hapjen e bizneseve, Qeveria duhet t’i përkrahë edhe bujqit. Të paktën ta kemi bukën tonë.
Ekonomia jonë nuk ka nevojë për pako qē gjoja ofrojnë mbështetje, por ndihmë konkrete për të evituar më të keqen: falimentimin e bizneseve dhe shtimin e mijëra vetave në radhën e gjatë të të papunëve.
Unë konsideroj se masat e Qeverisë në detyrë janë drastike. I kundërshtoj fuqishëm sepse si të tilla e kanë paralizuar zhvillimin e bizneseve. Thërrisni mendjes sa nuk është vonë sepse papunësia, varfëria e cenojnë stabilitetin.
Apo ndoshta, nuk keni kohë të mendoni për ekonominë gërmadhë, sepse jeni duke promovuar fqinjësinë e mirë dhe ‘humanistët’ e ri të Ballkanit?! Ju akuzoni nënat e dëshmorëve kur trajtohen në Shqipëri, por pranoni ndihma në shëndetësi nga Serbia. Hajde marri hajde.