Masat e reja| Qytetarët e nervozuar me “Trafikun Urban”

Prishtinë | 06 Dhj 2021 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët të cilët udhëtojnë çdo ditë me autobusët e ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”, po ballafaqohen me stres e nervozë.

Kjo për shkak se shoferët dhe kondukterët e “Trafikut Urban” po i lejojnë të hipin në autobusë vetëm 17 persona dhe jo më shumë. E ky veprim i kësaj ndërmarrjeje, po i lë shumë qytetarë pa shkuar me kohë në punë, shkollë e të tjera.

Disa nga qytetarët për Gazetën InLajmi, janë deklaruar se e kuptojnë se duhet respektuar masat anti-Covid por që kërkojnë nga organet kompetente, këtë rast “Trafiku Urban” që të bëjnë një zgjidhje, të paktën të shtojnë numrin e autobusëve.

“Ndodhë shpesh që 3 deri në 4 autobusë vinë edhe nuk ndalen me marrë udhëtarë. Edhe nëse ndalen marrin një apo 2 udhëtarë, do të thotë “siç thonë ata” për kaq kanë vend. Kjo po na nervozon si në mëngjes kur shkojmë në punë, shkollë, si në mbrëmje kur kthehemi në shtëpi. Po e kuptoj arsyetimin e tyre, se për shkak të masave anti-Covid, por duhet të mendoj Komuna e Prishtinës, “Trafiku Urban” , pra ata që janë përgjegjës për një zgjidhje”, kështu u shpreh për InLajmi e revoltuar qytetarja, Trëndelina Krasniqi derisa priste të vinte autobusi me numër 4.

Njësoj si kjo qytetare u shpreh edhe një i moshuar, Rifat Gashi, i cili thotë se shumë shpesh nuk po i’a ndalin autobusin e “Trafikut Urban”.

“Jo, jo nuk po ndalen, edhe kur po ndalen autobusët nuk po marrin shumë udhëtarë. Normalisht se është keq, se njeri shkon në punë apo ka naj punë tjetër edhe mbetet tu prit. Kjo hiq nuk është mirë, por për veti po mendoj se s’po ma ndalin se jam pensionist, që mos me ju zanë vend në autobusë”, tha ky qytetar.

Tutje, ai thotë se shumë herë i ka ndodhë t’i shohë e t’i dëgjojë fjalë e zënka në autobusë. Krejt kjo për shkak të mos ndaljes, marrjes së numrit të kufizuar të udhëtarëve.

“Shumë shpesh pasi hyjnë qytetarët e revoltuar ankohen, shahen me kondukterin, shoferin. Duhet mu bë një zgjidhje se kështu nuk është hiq mirë”, tha tutje ky qytetarë

Edhe pse ka kohë që fatmirësisht ka rënë numri i rasteve me koronavirus në vendin tonë, masat pothuajse kanë mbetur të njëjta, distanca prej 2 metra, mbajtja e maskës, si dhe hyrja e 17 personave në autobusë.

Në anën tjetër nga ndërmarrja publike ‘‘Trafik Urban‘‘ krejt këto ankesa të qytetarëve i asyetojnë me masat anti-Covid të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

“Trafiku Urban” ka zbatuar të gjitha vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me masat mbrojtëse anti Covid -19. Madje, mendoj se jemi institucioni publik më i përgjegjshëm deri më tani”, bëhet me dije përmes një përgjigjeje me shkrim nga “Trafikut Urban” për Gazetën InLajmi.

Sipas vendimit të Qeverisë 23.10.2021 në autobusët publikë lejohet të qëndrojnë qytetarë në 50 % të kapaciteteve të ulëseve. Autobusët tanë kanë 34 ulëse, që i bie se mund të qëndrojnë 17 qytetarë dhe në 17 ulëset e tjera janë vendor shirita që sinjalizojnë se në ato ulëse nuk mund të ulen qytetarët.

Lidhur me nervozën që po shkaktohet tek qytetarët kur nuk po ndalen autobusët dhe kur sipas këtyre të fundit po duket se ka vend në autobusë,“Trafiku Urban” thotë se kërkon falje ndërsa kërkon të hasë në mirëkuptim.

“Punëtorët tanë janë gjobitur duke toleruar për të tejkaluar numrin e lejuar duke pasur mirëkuptim ndaj nënave me fëmijë, ndaj grave shtatzëna, pensionistëve dhe fëmijëve. “Trafiku Urban” ka në qarkullim 51 autobusë nga ora 06:00-22:00. Ne informohemi vazhdimisht me problemet që ndodhin në autobusët tanë dhe trajtohet çdo problem apo ankesë që na adresohet. Punëtorët tanë janë të informuar se si duhet të reagojnë në raste kur hasin në probleme me qytetarët e që kondukteri apo shoferi nuk mund ta luajnë rolin e policit të rendit mirëpo e informojnë dhe e thërrasin Policinë e Kosovës” thuhet në përgjigjen e “Trafikut Urban”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme