Mesfushori i Argjentinës, Javier Mascherano, ka mohuar të dielën se ka një përçarje mes lojtarëve dhe seleksionuesit Jorge Sampaoli pas humbjes 3:0 ndaj Kroacisë në Kupën e Botës, duke thënë se marrëdhënia mes dy palëve është totalisht normale.
Humbja ndaj Kroacisë, më e rënda e Argjentinës në fazën e grupeve të Kupës së Botës që nga viti 1958, ka lënë amerikano-jugorët në rrezik serioz të eliminohen në fazën e grupeve, transmeton “Koha Ditore”. Argjentina duhet të mposhtë Nigerinë në xhiron e fundit të Grupit D të martën për të pasur të gjalla shpresat të arrijë në 1/8 e finales. Ka një pikë pas dy ndeshjeve.
“Marrëdhënia me trajnerin është totalisht normale”, ka thënë Mascherano, që është një prej lojtarëve më me përvojë dhe më me ndikim në përfaqësuese. “Qartë nëse ndihemi jokomod ndaj ndonjë gjëje, ne e njoftojmë atë dhe kjo vlen si për lojtarët në bankë ashtu edhe ata në fushë”.
Në mediume ishte raportuar se Sampaolit i është marrë fuqia në përfaqësuese dhe se lojtarët do të përcaktojnë formacionin startues për ndeshje ndaj Nigerisë. Po ashtu, ishte informuar se Sampaoli do të largohet pas përfundimit të Botërorit. Mirëpo, Mascherano ka insistuar se nuk ka të vërtetë në këtë.