Ndonëse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kishte planifikuar që shkollat të cilat punojnë me një ndërresë nga shtatori të nisin me mësim tërëditor, ky plan ka dështuar.
Kjo, pasi MASHT-i nuk ka arritur të gjejë mjete financiare që këto shkolla t’i pajisë me hapësira të mjaftueshme për mësim, hapësira relaksuese për nxënës, ushqim dhe kuzhina për ngrënie, shkruan sot Koha Ditore.
Aktualisht janë 71 shkolla fillore dhe 13 të mesme në Kosovë, të cilat punojnë me një ndërresë. Ndërkaq edhe 5 të tjera janë në ndërtim e sipër dhe pasi të funksionalizohen do të punojnë me një ndërresë.
Këshilltari në MASHT, Valmir Gashi, ka bërë të ditur se shkollat të cilat punojnë me një ndërresë kanë mungesë të kushteve për t’u aplikuar mësimi tërëditor.
Këto shkolla, sipas tij, kanë nevojë për investim në infrastrukturë përcjellëse për të nisur aplikimin e këtij mësimi.
Në nëntor të vitit të kaluar MASHT-i pati nxjerrë një raport përmes së cilit kishte bërë të ditur se për të realizuar mësim tërëditor në gjithë Kosovën nevojiten edhe 142 objekte të reja shkollore, 85 anekse dhe 218 salla të sportit. Vlera e të gjitha këtyre investimeve, sipas MASHT-it, është 371 milionë euro.