Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka certifikuar diplomat për 131 studentë të Universitetit të Mitrovicës Veriore, me çka studentët e komunitetit serb, sikur u tha, bëhen konkurrentë të barabartë në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë saj.
Ky certifikim që është i pari u bë gjatë prezantimit të projektit, “Mbështetje edukimit në gjuhën serbe në Kosovë: Procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës Veriore (UMV), hulumtimi i situatës aktuale, zhvillimi i udhërrëfyesit të MAShT-së dhe trajnimi direkt i UMV dhe stafit mësimor të tij”.
Ministri Arsim Bajrami tha se certifikata e vlefshmërisë shërben dhe mund të përdoret për të aplikuar për punësim në të gjitha institucionet publike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai po ashtu tha se lëshimi i certifikatave dhe përdorimi i tyre si zëvendësim i diplomave të UMV-së është masë e përkohshme afirmative për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të shtetasve të Kosovës, për të mundësuar qasje të barabartë në punësim.
Ministri Bajrami tha se ne bisedimet në Bruksel, do të kërkojë që edhe Serbia të njohë diplomat e studentëve nga Lugina e Preshevës.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Thomas Gnocchi, tha se qasja e barabartë në sistemin e edukimit është prioritet në agjendën evropiane dhe në strategjitë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian mbështet procesin e përfshirjes së studentëve serbë në institucionet e Kosovës.
Ambasadori i Norvegjisë, Per Stand Sjaastad, tha se ekziston një përkushtim i madh i Qeverisë së Kosovës për të ofruar arsim kualitativ për të gjitha komunitetet dhe për të ofruar rekrutim në bazë të meritave dhe kompetencave të kandidatëve.
Qeveria e Kosovës, në fund të vitit 2015, pat miratuar rregulloren për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave shtetasve të Kosovës, të cilët kanë marrë diploma nga Universiteti i Mitrovicës.