I gjithë sistemi arsimor në vend sot ka hyrë në grevë.
Ata kanë paralajmëruar se nuk do të ndërpresin grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Valmir Gashi, këshilltarë i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Ekonomia Online thotë se nuk e përkrahin në asnjë moment grevën.
“MASHT sigurisht që i përkrahë të gjithë punëtorët e vet dhe vazhdimisht ka qenë që këta të punësuar dhe të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit të gjithë të kenë koeficient, pra të kenë paga të dinjitetshme,mirëpo MASHT-i asnjëherë dhe në asnjë moment nuk do ta përkrahë grevën që është organizuar nga SBASHK-u”, tha ai për Ekonomia Online.
Gashi ka treguar se sot do të këtë takim në mes zv. kryeministrit Limaj, ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, për të gjetur një zgjidhje që të mos dëmtohet edhe më tej procesi mësimor dhe nxënësit.
“Ne jemi takuar vazhdimisht edhe në të kaluarën është parapa që edhe gjatë ditës së sotme të zhvillohet në takim në zyrën e zv. kryeministrit Limaj ku i pranishëm do të jetë ministri Bytyqi dhe kryetari i SBASHK-ut ku temë kryesore do të jetë tema e grevës. I gjithë angazhimi po bëhet për të gjetur një zgjidhje mes dyja palëve që të mos dëmtohet procesi mësimor dhe nxënësit. Greva qoftë edhe një ditore pengon procesin mësimor, të cilat janë vështirë të përmirësohen”, tha Gashi për Ekonomia Online.