MASHT-i shpenzoi 11 milionë euro për libra, por shumë nxënës kanë mbetur pa to

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse Ministria e Arsimit për çdo fillimvit shkollor deklaron që do ta bëjë shpërndarjen falas të teksteve shkollore, po dëshmohet e kundërta.

Këtë vit kjo ministri ka shpenzuar 11 milionë euro për tekste shkollore por edhe pas gjashtë javësh të fillimit të procesit mësimor, tekstet shkollore u mungojnë nxënësve. Prindërit po detyrohen që t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, por edhe blerja e teksteve shkollore është e pamundur pasi ato nuk janë në shitje në libraritë e vendit.

Në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë një numri të konsiderueshëm të nxënësve të klasave të para u mungojnë tekstet shkollore si: Abetarja, Libri i Leximit, Njeriu dhe natyra, Gjuhë angleze, Edukata figurative, Shoqëria dhe Mjedisi, Matematika, Shkathtësi për jetën, Edukata muzikore, Abetare pune e disa të tjera, raporton televizioni publik.

Rreth 440 nxënësve të klasës së dytë u mungojnë librat: Njeriu dhe natyra si dhe Shkathtësi për jetën. Nxënësve në klasën e gjashtë rreth 300 prej tyre u mungojnë tekstet e Gjuhës angleze. E nxënësve të klasës së shtatë mbi 500 prej tyre iu mungon teksti shkollor për lëndën Edukatë qytetare, derisa teksti i lëndës së Kimisë u mungon 121 nxënësve.

Mungesa e teksteve shkollore është edhe te klasat e teta dhe të nënta, ku këtë vit shkollor Ministria e Arsimit nuk ka shpërndarë tekste, nxënësit janë furnizuar me libra nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që kanë mbetur nëpër stoqe.

Për këtë janë bërë kërkesa në Ministrinë e Arsimit edhe nga shkolla edhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë, në fillimin e muajit shtator. Por nuk kanë marrë përgjigje.

Këtë dritë të gjelbër Ministria e Arsimit duket se nuk do ta japë këtë vit pasi drejtues të këtij dikasteri, përkatësisht Drejtori për Arsimin Parauniversitar Alush Istogu, nëpërmjet mesazheve telefonike ka thënë për RTK se tekstet shkollore u janë dërguar shkollave sipas kërkesës të muajit qershor, dhe mungesën e tyre duhet ta zgjidhin Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Pavarësisht që furnizimi i nxënësve me tekste shkollore falas është i përcaktuar nga Ministria e Arsimit me udhëzim administrativ, nxënësit do të vazhdojnë ta zhvillojnë procesin mësimor nga fletët e kopjuara dhe marrjen e shënimeve në formën mekanike, nëpërmjet shkrimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme