Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe drejtori i organizatës ndërkombëtare “SPARK”, z. Yannick Du Pont, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi, me të cilën do të sigurohet qëndrueshmëria financiare për Kolegjin e Biznesit Ndërkombëtar në Mitrovicë (IBCM).
Ministri Bajrami, me këtë rast, falënderoi edhe partnerët nga shtetet që kanë kontribuar për arritjen e kësaj Marrëveshje dhe uroi që Kolegji IBCM të arrijë pritshmëritë e MAShT-së dhe të jetë konkurrent dhe institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë.
Kjo Marrëveshje vjen si rezultat i investimeve të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe disa ambasadave në Kosovë, në mbështetje të diversitetit etnik në fushën e arsimit, thuhet në një komunikatë shtypi të MAShT-së.
Marrëveshja siguron financim 5-vjeçar nga MAShT për funksionimin e Kolegjit IBCM, në mënyrë që të zhvillohet dhe si institucion gjithpërfshirës, të nxjerrë nëpunës civil profesional të rinj dhe udhëheqës biznesi në rajonin e Mitrovicës, të trajnuar dhe mësuar që të punojnë në ekipe shumetnike për tregjet e Kosovës, regjionit, dhe ato evropiane.
Marrëveshja parasheh që Kolegji, për periudhën sa zgjatë kjo marrëveshje, t’i raportojë MAShT-it në baza vjetore për sukseset, të arriturat dhe për gjithçka që parasheh kjo marrëveshje, përfshirë këtu edhe raportin financiar.
Kjo Marrëveshje do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.