Nënshkrimet e 15 mijë mësimdhënësve kundër vlerësimit të njohurive të tyre, nuk do ta zmbrapsin Ministrinë e Arsimit.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, këmbëngul se ky test mbi performancën e mësimdhënësve, do të realizohet në mënyrë që dikasteri i tij të ketë një pasqyrë reale mbi njohuritë e përgjithshme të këtij komuniteti.
Sipas Bajramit, testi nuk do të mbahet gjatë këtij viti akademik, po gjithsesi ai do të realizohet, pasi edhe mësimdhënësit ta kuptojnë rëndësinë e tij.
Bajrami sqaron se frika e mësimdhënësve është e paarsyeshme, sepse do të vlerësohen për njohuri të përgjithshme, e kryesisht ato teknologjike.
Sipas ministrit, ky projekt po bëhet me qëllim që Ministria të dijë se në cilat fusha do të duhej të investojë më tepër në trajnimin e këtyre mësimdhënësve, në mënyrë që të përmirësohet edhe cilësia e arsimit e cila aktualisht nuk është në nivel të kënaqshëm.
Por Sindikata e Arsimit insiston se do ta kundërshtojnë këtë test, pasi e quan degradues për mësimdhënësit.
Duke u nisur nga fakti se cilësia e arsimit në Kosovës është tejet e dobët dhe se fajtorë për këtë janë mësimdhënësit, testimi i këtyre të fundit është i nevojshëm, vlerëson njohësi i arsimit, Dukagjin Popovci. Sipas tij, kjo do të ndihmonte në ngritjen e cilësisë në arsim.