MASHT nxjerr Udhëzimin për parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare

Prishtinë | 19 Jan 2018 | 16:34 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension.

Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ, sipas njoftimit nga MASHT është rregullimi i parimeve dhe njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension.

Kjo rregullore është bërë mollë sherri në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit. Koha Ditore ka raportuar dje se si edhe pse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucion publik autonom i arsimit të lartë, Senati i UP-së është dashur të mos e miratojë Rregulloren për avancime akademike javën e kaluar, meqë e kanë marrë një kërkesë të tillë nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.

Përmes kërkesës drejtuar rektorit Marjan Dema, ministri ka kërkuar që organet e UP-së të mos aprovojnë dokumente që lidhen me avancimet akademike me arsyetimin se MASHT-i është duke hartuar një udhëzim administrativ që do të adresojë çështjet e punimeve shkencore në nivel vendi.

Një kërkesë të tillë rektori e ka quajtur ndërhyrje në punën e Universitetit të Prishtinës dhe ka thënë se nuk ka informata për përmbajtjen e këtij udhëzimi administrativ.

I kontaktuar nga gazeta, ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj kërkese drejtuar UP-së, derisa këshilltari i tij, Valmir Gashi, e ka arsyetuar duke thënë se kjo është bërë pasi MASHT-i është në finalizim të udhëzimit që do të merret me avancime akademike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme