Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka sqaruar lidhur me publikimin lajmit gjatë ditës së djeshme se një zyrtar i MAShT-it është arrestuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, duke tentuar të fusë lëndë narkotike brenda hapësirës së këtij burgu.
Sipas kësaj informate, zyrtari i arrestuar është i punësuar në shkollën e kësaj Qendre në Dubravë.
MAShT sqaron se personi i arrestuar nuk është zyrtar i ministrisë, por është mësimdhënës i punësuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog.
“Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, MAShT ka kërkuar nga Sektori i Inspektimit në Pejë që të marrë informata të detajuara rreth rastit. Sipas raportit të Inspektoratit rajonal, personi i arrestuar nuk është zyrtar i MAShT. Ky person është mësimdhënës i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Teknike ‘Mithat Frashëri’ në Gurrakoc të Istogut, paralelja e ndarë në Qendrën Korrektuese në Dubravë”, thuhet në sqarimin e MAShT-it.