Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së bashku me Institutin “EdGuard” kanë mbajtur diskutim publik për Projektligjin për Tekste Shkollore, i cili ka gjithsej 41 nene, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se ky Projektligj për herë të parë hap derën për tekste shkollore digjitale.
Nga MASHTI kanë thënë se propozimet do të merren parasysh dhe do t’i bashkëngjiten Projektligjit në fjalë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha se me këtë projektligj synohet të rritet cilësia në arsim, transparenca dhe llogaridhënia.
Ajo theksoi se synimi është të kenë autorë dhe recezentë sa më kompetentë që të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ka kërkuar që t’i dërgojnë komentet pas përfundimit për dërgimit të projektligjit në Kuvend. Në fund drafti i ligjit që shkon në kuvend të jetë i mirë dhe i kompletuar. Me këtë projektligj synojmë të rrisim transparencën dhe llogaridhënien, të ngrisim kapacitetet e autorëve dhe recensentëve, pra të kemi autor dhe recezent sa më të mirë”, tha Nagavci.
“Synojmë të kemi edhe çmime të arsyeshme të botimit të teksteve mësimore. Synojmë të themelojmë një sektor për tekste shkollore. Këshilli shtetëror për tekste shkollore do të ketë jo vetëm një kompetencë por synojmë të jetë shumë profesional, dhe kjo do të ndihmoj që tekstet të jenë në aspekt profesional të mira. Sa i përket recezentëve i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë”.
Tutje shtoi që projektligji parasheh edhe pilotimin digjital të teksteve shkollore. Ajo siguroi se Projektligji do të zbatohet edhe në praktikë.
“Kemi planifikuar edhe pilotimin e teksteve dhe rishikimin e vazhdueshëm për përmirësimin e cilësive. Ligji parasheh dhe mundëson edhe ligjin digjital të materialeve dhe teksteve shkollore. Një shtyllë e veçantë ka të bëjë me digjitalizimin në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Duke pas parasysh se është përkushtim i yni që ky projektligj të shkojë sa më shpejtë në Kuvend si drafti më i mirë dhe më i plotësuar, do të analizojmë çdo koment dhe rekomandim nga ana e palëve me interes, do të angazhohemi që çdo gjë që shkon në atë projektligj të zbatohet në praktikë”, tha në fund Nagavci.
E drejtori i Institutit “Edguard”, Rinor Qehaja, ka kërkuar që të dorëzohen komentet të cilat do të merren parasysh deri në dorëzimin e Projektligjit në Kuvend.
“Jam këtu në cilësi të anëtarit të grupit punues dhe drejtor i Institutit “Edguard”. Ju këshilloj shumë të rishikoni e lexoni dhe rilexoni projektligjin dhe të dërgoni komentet e juaja. Të gjitha imputet e juaja do të reformohen dhe do të përfshihen në platformë. Do të doja që diskutimin ta fokusojmë në projektligj se kush është ai ndryshim i nevojshëm”, tha ai.
Qehaja më tutje ka prezantuar në detaje projektligjin në fjalë, për të cilin tha se i ka gjithsej 41 nene. Ndërsa gjashtë kapituj kanë të bëjnë për tekstet shkollore.
“Projektligji në përgjithësi ka 41 nene. Nuk kemi pas synimin që të jetë projektligji i ngarkuar. Projektligji tek kapitulli i parë i ka dispozitat e përgjithshme. Tek kapitulli dytë bëjmë klasifikimin e teksteve shkollore. Tek klasifikimi i teksteve shkollore rregullon mjetet mësimore materialet mësimore dhe dokumentin pedagogjik. Ajo çka ka ndodh deri sot me vonesa të përkthimeve dhe shpërndarje për përfaqësuesve të teksteve për komunitetet jo shumicë u është ofruar një zgjidhje e duhur. Është një pjesë e rëndësishme që do të shfrytëzohet nga nxënësit tanë në mërgatë. Ky projektligj për herë të parë hap derën për tekste shkollore digjitale”, tha ai.