Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe OSBE kanë prezantuar doracakun “Ndërkulturalizmi në Arsim”, me ç’rast u konsiderua i nevojshëm për të gjithë fëmijët dhe nxënësit, pavarësisht moshës, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se tendenca dhe aspirata e arsimimit ndërkulturor si koncept është të ofrojë mundësi të barabarta që çdo nxënës të arrijë potencialin e vet të plotë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se qëllimi i këtij doracaku është nxitje dhe fuqizim i dialogut ndëretnik duke u bazuar në respektin e diversitetit.
E para e arsimit tha se Kosova është shembull klasik i multi-kulturës dhe multi-gjuhësisë.
“Qëllimi i këtij doracaku është nxitje dhe fuqizim i dialogut ndëretnik duke u bazuar në respektin e diversitetit, që sot kuptohet drejt si vlerë e jo vetëm në Kosovë po në gjithë botën. Në fakt ndër-kulturalizmi është i ngërthyer në kulturat shtetërore të Kosovës, me komunitetet tona, me gjuhët tona zyrtare dhe me gjithë politikat e Qeverisë sonë të cilat garantojnë drejtësi të barabartë dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Kultura luan një rol të rëndësishëm në krijimin e identitetit individual dhe shtetëror sepse aty përcaktohet ndjenja e përkatësisë në komunitet. Kultura është ajo që na ndihmon që ta njohim vetën dhe të tjerët dhe më tej na nxit që të kuptojmë shoqëritë njerëzore më mirë dhe më drejtë. Arsimi ndërkulturor është shprehje e marrë pikërisht nga ky doracak dhe tek të cilat duhet të fokusohemi të gjithë. Koncepti i multi-kulturalizmit nënkupton thjesht disa kultura të harmonizuara me njëra-tjetrën dhe ne besojmë se Kosova është shembull klasik i multi-kulturës dhe multi-gjuhësisë, pra i një shoqërie vitale me kapacitete të shumta dhe me një perspektivë të hapur për të gjithë”, tha tutje Nagavci.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovës, Michael Davenport, tha se me ministren Nagavci kanë punuar ngushtë që prej dy vitesh për ta jetësuar këtë doracak.
“Misioni i OSBE kanë punuar ngushtë me Ministrinë në përgatitjen e këtij udhëzuesi dhe jam mirënjohës ndaj ministres që ka siguruar kulturalizimin aktual. Jemi pajtuar për krijimin një grupi dypalësh i cili ka funksionuar dhe një nga rezultatet e këtij grupi ishte në hartimin e këtij doracaku. Një punë të madhe është bërë nga punëtoritë dhe doracaku është bërë falë bashkëpunimit mes OSBE dhe MAShTI-t”.
“Dua të them se shembulli i atyre që janë përfshirë në këtë grup është rezultat i bashkëpunimit që duhet të sjellim edhe në të ardhmen. Unë mendoj se është një mundësi e mirë e qasjes së kulturalizimit dhe për të ndarë rëndësinë e saj”, tha ai.
E doracakun e prezantoi Shqipe Gashi-Ramadani, ku tha se kjo qasje edukative dhe arsimore u mundëson brezave të rinj të nxënësve që të përgatiten për të marrë pjesë aktive në zhvillimin e shoqërisë ndërkulturore.
“Edukimi ndërkulturor nuk kufizohet vetëm në përvetësimin e njohurive për tjetrin, por ai gjithashtu u mundëson nxënësve të zhvillojnë, ruajnë dhe përmirësojnë shkathtësitë jetësore që kërkohen për ndërveprime efektive brenda një shoqërie te larmishme”.
“Arsimimi ndërkulturor sensibilizon te gjitha subjektet në procesin edukativo-arsimor për njohjen, respektimin dhe jetesën ne nj mjedis të larmishëm të përbërë nga individe apo grupe që janë eksponentë te tjetërsisë”, tha ajo.