Shtëpitë luksoze në një ishull spanjoll dhe jahtet e shkëlqyera, të ankoruara në portet mesdhetare, ishin të gjitha gjurmët e një jete të jetuar mirë.
Aty ishin gjithashtu, sipas autoriteteve spanjolle, frytet e një operacioni për pastrim parash prej multimiliona dollarësh dhe evazion fiskal të kontrolluara nga një prej agjentëve më të fuqishëm të futbollit botëror, që muajin e kaluar rezultoi me aktakuzë penale kundër menaxherit shqiptar Abdilgafar Fali Ramadani, dhe ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të tij, shkruan NYT.
Sipas autoriteteve, Ramadani ishte në qendër të skemës në të cilën një grup agjentësh të lidhur me të ishin në gjendje të shfrytëzonin vakumet ligjore dhe të fshihnin miliona dollarë në komisione, duke transferuar sportistët nëpër disa klube “fantazmë” në Belgjikë, Serbi dhe në Qipro. Duke vepruar kështu, autoritetet thanë se agjentët shmangën pagimin e taksave për pagesat që morën për ndërmjetësimin e marrëveshjeve.
I kontaktuar përmes telefonit, Ramadani nuk deshi t’i komentonte akuzat. Agjencia e tij me qendër në Berlin, ‘Lian Sports’, është nga më të njohurat për të përfaqësuar disa nga lojtarët më të kërkuar të futbollit, transmeton Koha Ditore.
Sikur dhjetëra hetime të tjera që kanë rrënuar sportet evropiane vitet e fundit, duke çuar në raste të taksave të profilit të lartë kundër lojtarëve si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, si dhe ekzaminimet financiare të klubeve si Paris St. Germain dhe Manchester City, “çështja Ramadani”, e quajtur “Operacioni Lanigan”, kanë bazën nga rrjedhja e dokumenteve – të ashtuquajturat dokumentet e “Football Leaks” – që janë zbuluar në biznesin e futbollit, dhe në një industri të zymtë të transferimit të lojtarëve që vlen më shumë se 7 miliardë dollarë në vit.
Kur “Football Leaks” hakoi dokumentet që kishin të bënin me Ramadanin dhe pastaj i shpërndau ato në media dhe i publikoi ato në internet, prokurorët spanjollë gjetën një dritare dhe rrugën për të zbuluar menaxherët e futbollit.
“Ata morën informacionet nga Football Leaks dhe më pas vendosën të nisnin çështjen me prokurorinë speciale përgjegjëse për krimin e organizuar dhe antikorrupsionin”, tha Borja Pastor, një zyrtar në Europol, një organizatë që koordinon hetimet panevropiane.
Gjetjet kryesore të hetimit, sipas Pastorit, ishin ndërmjetësimi i agjentëve të klubeve evropiane në ligat e kategorisë së dytë dhe të tretë si një rrugëdaljet në transferimin e lojtarëve.
Një futbollist adoleshent i blerë nga një ekip qipriot për pak më shumë se 2 milionë dollarë, u shit gjashtë ditë më vonë për më shumë se trefishi i çmimit. Një tjetër ishte në librat e të njëjtit klub për vetëm tetë ditë.