Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte planifikuar që nga 20 korriku i këtij viti të fillojë me shitjen online të policave të sigurimit kufitar. Por, çuditërisht një gjë e tillë nuk po ndodh as pesë muaj më vonë.
Për t’i shmangur pritjet e gjata në kufij, Rrahim Pacolli në cilësinë e kryetarit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) gjatë një takimi që kishte pasur në maj me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadrin Veselin, kishte premtuar se nga 20 korriku i këtij viti BKS-ja do të fillojë shitjen online të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Por, çuditërisht një gjë e tillë nuk po ndodh as pesë muaj më vonë. Zyrtarisht zyrtarë të lartë të BKS-së thonë se nuk kanë informacione se pse po zvarritet një gjë e tillë. Mirëpo, jozyrtarisht burime të besueshme të gazetës “Zëri” thonë se procesin qëllimisht po e zvarrisin disa pronarë të kompanive të sigurimit në vend.
Gazeta të enjten ka kontaktuar me telefon me Pacollin, por ky i fundit nuk ka qenë i gatshëm të japë informacione rreth mos fillimit të shitjes së policave online të sigurimit për automjete.