Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarës E.B, avokati L.T mungoi për shkaqe shëndetësore, është anuluar gjykimi në rastin ku e njëjta së bashku me V.B, B.V, Xh.A, F dhe V.O, po ngarkohen me veprat penale “Krim i organizuar”, “Mashtrim”, “Shpëlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi’’.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.
“Mbrojtësi i të akuzuarës B., avokati Tafa e ka njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim, andaj për këtë arsye edhe është anuluar seanca e së hënës”, ka thënë gjykatësja Husaj-Rugova.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 28 janar 2022.
Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe faktit se në mesin e tyre ka edhe gjykatës, andaj dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit E.B, V.B, dhe B.V ngarkohen me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendon se fillimisht E.B, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga E.B.
Prokuroria pretendon se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës E.B, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.
Ndryshe, E.B, Xh.A, B.V, V.O dhe F.O, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.
E pandehura E.B, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.
Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare.