Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është përgjigjur para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se nga inspektimi në Çirez janë dhënë vërejtjet ndaj operatorit ndërsa ka thënë se gropat e mbushura me ujë të cilat i kanë gjetur aty, janë duke u mbyllur.
Ai tha se çështjet e sigurisë në Çirez nuk janë në përgjegjësi të MMPH-së, përveç atyre që lidhen me ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit dhe degradimin e tokës.
“Në fakt informacionin rreth problemet në Çirez e kam kuptuar nga mediet dhe kam pasë disa kontakte me deputeten Musliu dhe me të i kemi taku banorët e Çirezit dhe kemi dëgjuar hallet e tyre. Sa i përket MMPH-së ne monitorojmë tri aspekte te gurthyesit që lidhen me ndotjen e ajrit, degradimin e tokës dhe ndotjen e ujit. Çështjet tjera që janë ngritë si shqetësim i banorëve nuk i përkasin MMPH-së. Janë tema që i trajtojnë institucionet e tjera. Nga terreni informacionin që e kemi pasë kemi vërejt që në këtë zonë ka pasë disa gropa të mbushura me ujë kur i kam pa kanë paraqitë rrezik për qytetarët, por edhe për kafshët. Inspektimi i fundit ka ndodhë ditën e djeshme dhe këto pamje po mbyllen. Operatori posedon pëlqim nga MMPH-ja. Pjesa e sigurisë përgjatë minimit nuk është çështje e MMPH-së. ”, është shprehur Matoshi para komisionit.
Ai foli edhe për djegien e pyjeve si përgjigje ndaj deputetes Ganimete Musliut, e cila kërkoi sqarim në lidhje me këtë çështje.
“Tek djegia e pyjeve ne nuk kemi autoritet që kemi përgjegjësi me i menaxhu pyjet megjithatë vjet ne kemi parapa një nen që u mundëson inspektorëve komunalë që djegia e hamullishtave të gjobitet me 100 euro dhe këtë e kemi lidhë me ndotje të ajrit. Jam shumë i shqetësuar si ministër me këtë fakt”, tha Matoshi, raporton EO.
E, duke folur për hapat konkret në lidhje me përmirësimin e gjendjes në Çirez, Matoshi tha se pas ankesave të banorëve është mbyllë një gropë që ka paraqitë rrezik për njerëzit.
“Gjendja që kanë pa inspektorët dje është që operatori e ka të rrethuar me tela gjemborë hapësirën ku operon. Pas ankesave të banorëve është mbyllë një gropë që ka paraqitë rrezik për njerëzit dhe është vërejt që brenda hapësirës ku janë gropat janë edhe cisternat që të mos krijohet pluhur dhe operatori është lutur që të mos devijojë nga kushtet që janë vënë nga MMPH-ja dhe që është në vëzhgim të ministrisë”, tha Matoshi.
Ministri Matoshi paraprakisht ka thënë se në rast të mospërfilljes së kushteve nga ana e operatorëve në gurore, ministria do marrë përgjegjësi.
“Nuk është gjendja në terren të cilën e dëshirojmë edhe ne. Nëse ka një gurore për të cilën nuk është përfillë se ku do operojë gurorja, atëherë ne si ministri marrim përgjegjësi. Nëse ka gurore që funksionon pa marrë leje prapë ne marrim përgjegjësi. Por ne nuk mund ti ndalim proceset. Sot në Kosovë kërkush nuk e drejton gishtin ndaj asnjë kuvendi komunal i cili e ka dhënë pëlqimin për një gurore. Nuk është shumë e drejtë që të kërkohen e gjendet një fajtor në mesin e gjithë këtij procesi. Nga 112 sa kanë leje prej gurëthyesve, 25 prej tyre janë në gjykata”.
Deputeti Salih Zyba propozoi që anëtarët e komisionit të bëjnë vizitë në terren dhe të vëzhgojnë situatën, të cilin ministri Matoshi e mirëpriti duke e quajtur komisionin të vetmen shpresë për ndërrimin e gjendjes.
“Asnjë dokument nuk do e jetë i fshehtë në ministri. Ka filluar një inspektim. Po ashtu atë që i kam premtuar deputetes dhe banorëve ne po shohim saktë a janë zbatuar të gjitha procedurat kur i është dhënë leje operatorit. Nëse ka shkelje raporti do të jetë publik. Pas vëzhgimeve ne e kemi mundësinë e tërheqjes së pëlqimit mjedisor. Nëse nuk ka përmirësim të gjendjes atje do ketë tërheqje të pëlqimit mjedisor”, tha Matoshi.
Deputetja e PDK-së, Ganime Musliu, bëri të qartë se Çirezi duhet të jetë rast alarmi. “Çirezi duhet të jetë alarm. Vizitën që e kemi bë kemi pa gurë që kanë flutur mbi shpija. Nuk kemi pa ndonjë tragjedi të mundshme por nuk guxojmë të neglizhojmë temën e Qirezit”, tha Musliu.
Gurthyesit në fshatin Çirez të Skenderajt janë bërë temë e diskutimit mes anëtarëve të Komisionit për Bujqësi dhe akterëve përgjegjës rreth kësaj teme, raporton Ekonomia Online.
Ndaj saj, këmbëngulës qenë deputetët të cilën kërkuan përgjigje nga kryeinspektori Fatmir Gërguri.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, kërkoi përgjegjësi duke e pyetur Gërgurin se a duhet të vdes dikush që të ndalen punimet në atë pjesë.
Gërguri tha se për gjithçka është përgjegjës operatori.
Debati ndërmjet tyre vazhdoi me kërkesë të Nitaj që të jepen shpjegime.
Por, Gërguri ishte shumë i shkurtë në përgjigje.
“Përgjegjësia bie tek kompania minuese drejtpërdrejt sepse me kontratë janë të parapara të gjitha këto”, tha Gërguri.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vazhdoi prapë në përpjekjet duke thënë se kryeinspektori duhej të vinte me fakte e jo paragjykime.
“Çfarë sasie përdoret kur bëhet minimi? Cila është sasia maksimale që u lejohet gurëthyesve sepse në Çirez mendohet që kalohet sasia e lejuar dhe futet më shumë eksplozivë dhe ajo është arsyeja që ka pasë dëme. Është dashtë të vini me fakte e dokumente para komisionit e jo me paragjykime”, ka thënë Musliu.
Gërguri u mundua të jap shpjegime, por prapë duke refuzuar të jap përgjigje pse nuk janë ndaluar minimet.
“4750 kg janë përdorë. Aplikacionin për minim e bën kompania minuese. Janë nda në dy fusha për shkak të kujdesit ndaj banorëve. 36 minime i kemi deri më sot në Çirez. Kanë ndodhë incidente, por kemi pasë fatin e mirë që nuk kemi aksident”, tha Gërguri.
Përgjegjësi kërkoi edhe deputeti Liburn Aliu.
“Sikur të ndodhte aksidenti… me pasë mbytë dikë a e kishit mbyllë? Ka ra guri 350 km larg nuk e ka mbytë askënd, tash pse se ka mbytë se po ta kish mbytë dikë i kishin mbyllë punimet”? pyeti ai.
Gëguri dha një përgjigje.
“Po i kishim mbyllë. Nuk mund të ndalim komunikacionin ne kur bëhen 2-3 aksidente brenda ditës dhe ne nuk mund ta ndalim, por marrim hapa”, tha ai.