Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis u ka thënë liderëve arabë se Rusia nuk është zëvendësim për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme, pas ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Siri.
“Prania e Rusisë në rajon nuk mund të zëvendësojë përkushtimin afatgjatë, të qëndrueshëm dhe transparent të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme”, u shpreh Mattis më 27 tetor, në një takim në Manama të Bahrejnit.
Rusia dhe Irani mbështesin regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad, në luftën civile shtatëvjeçare që ka lënë mbi 300 mijë persona të vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.
Mattis tha në konferencën për dialog në Manama se “oportunizmi dhe vullneti i Moskës për të mos shikuar veprimtaritë kriminale të Assadit kundër popullit të tij, dëshmon mungesën e angazhimit të sinqertë ndaj parimeve themelore morale”.
Sekretari Mattis tha se mbështetja e Iranit për regjimin sirian “së bashku me vetot e përsëritura të Rusisë ndaj rezolutave të OKB-së, është arsyeja kryesore që Assadi vazhdon të qëndrojë në pushtet”.
Mattis po ashtu ka paralajmëruar se incidentet të tilla si vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi minojë stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa shtesë ndaj përgjegjësve.