Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se SHBA “nuk është kurrë pa zgjidhje diplomatike” në rastin e Koresë së Veriut.
Ai i bëri këto komente në një takim me homologun jugkorean, Song Young-moo, në Pentagon.
Komentet vijnë pasi presidenti amerikan, Donlad Trump, ka shkruar në Twitter se “bisedimet nuk janë përgjigje” për ambiciet ushtarake të Phenjanit.
Rusia po ashtu ka paralajmëruar SHBA-në kundër ndërmarrjes së veprimeve ushtarake, duke thënë se ato do të kishin “pasoja të paparashikueshme”.
Koreja e Veriut ka shkaktuar alarm të martën, duke lëshuar një raketë mbi Japoni. Raketa ka kaluar mbi ishullin Hokaido përpara se të binte në det.
Koreja e Veriut ka thënë se ky ka qenë “hapi i parë” i operacioneve më të gjera ushtarake në Paqësor dhe ka përsëritur kërcënimet për ishullin amerikan Guam, raporton Rel.