Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka thënë të ketë parë shenja inkurajuese për bisedime në mes të Qeverisë së Afganistanit dhe talibanëve pas 17 vjetëve të luftës.
Duke folur më 24 qershor, Mattis ka përmendur pranimin e armëpushimit treditor nga ana e talibanëve, e cila ishte propozuar nga presidenti, Ashraf Ghani.
Forcat qeveritare dhe talibanët kanë ndalur luftimet për tri ditë javën e kaluar, për të shënuar fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Qeveria më pas ka zgjatur armëpushimin derisa talibanët nuk kanë vepruar njëjtë, duke nisur luftimet më 17 qershor.
Mattis ka thënë se pavarësisht se talibanët kanë hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të armëpushimit, për të ka qenë inkurajues fakti i ndalimit të luftimeve gjatë festës së Fitër Bajramit.
“Është e qartë se Ghani ka arritur një harmoni”, u ka thënë Mattis gazetarëve para se të nisej në një udhëtim zyrtar në Azi.
Mattis pritet të vizitojë Kinën më 26-28 qershor në kuadër të udhëtimit katërditor, në të cilin përfshihen vizitat në Korenë Jugore dhe Japoni.