Mattis: Nuk përjashtojmë veprim ushtarak kundër Sirisë

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 17:37 | Nga

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë një veprim ushtarak kundër Sirisë, pas komenteve të Presidentit Donald Trump se ata që ndërmorën sulmin kimik të së shtunës do të paguanin një çmim të lartë.

“Gjëja e parë që duhet të shqyrtojmë është se përse ende përdoren armë kimike kur Rusia ishte garantuesi për heqjen e të gjitha armëve kimike”, tha zoti Mattis sot gjatë një takimi në Pentagon me sheikun e Katarit al-Thani.

Ai u tha gazetarëve se SHBA po “punojnë me aleatët dhe partnerët nga NATO-ja në Katar dhe gjetkë për ta trajtuar këtë çështje”.

Mbrëmë vonë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron dënuan ashpër sulmet kimike në Siri dhe ranë dakord se qeveria siriane e presidentit Bashar al-Assad duhet “të mbahet përgjegjëse për abuzimet e vazhdueshme me të drejtat e njeriut”. “Ata ranë dakord të shkëmbejnë informacion mbi natyrën e sulmeve dhe të koordinojnë një përgjigje të fortë dhe të përbashkët,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë rreth telefonatës midis dy udhëheqësve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sot rreth sulmit të supozuar, pasi shumë vende kërkuan një seancë urgjente.

SIRIA DHE RUSIA AKUZOJNË IZRAELIN PËR SULM AJROR

Ndërkohë, Siria dhe Rusia thonë se dy aeroplanë luftarakë izraelitë që vepronin në hapësirën ajrore libaneze kryen sot në mëngjes një sulm kundër një baze ajrore në Sirinë qendrore.

Ushtria izraelite nuk e komentoi sulmin në bazën e njohur si T4 në provincën Homs.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, tha se 14 veta janë vrarë, në mesin e tyre edhe pjesëtarë të forcave iraniane.

Në muajin shkurt Izraeli akuzoi forcat iraniane se po shfrytëzojnë bazën për të dërguar avionë pa pilotë në territorin e Izraelit.

Fillimisht mediet shtetërore siriane thanë se një sulm me raketa ka ndodhur të hënën në një bazë ajrore në provincën e Homsit në Siri, duke lënë një numër viktimash.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulm në Siri.

“Megjithatë, po vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe të mbështesim përpjekjet diplomatike për t’i mbajtur përgjegjës ata në Siri dhe gjetiu për përdorimin e armëve kimike”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Christopher Sherwood.

Siria vazhdimisht ka mohuar përdorimin e armëve kimike gjatë konfliktit që filloi në vitin 2011, përfshirë edhe sulmin e fundit të dyshuar të së shtunës në para lagjet e Damaskut të kontrolluara nga kryengritësit, që la pas vetes 40 të vrarë.

Presidenti Trump përdori rrjetin Twitter të dielën për të thënë se “do të ketë një çmim të lartë për t’u paguar”, për atë që ai e quajti “sulm të çmendur kimik” të shtunën.

Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi se “Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës” për mbështetjen që i japin “kafshës Asad”.

Ai kërkoi më tej nga Siria hapjen e zonës për personelin mjekësor dhe verifikues.

Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë pohimet për sulm kimik duke theksuar se “përhapja e tregimeve të rreme për përdorimin e klorit dhe substancave të tjera helmuese nga forcat qeveritare (siriane) vazhdon”.

“Ne kemi paralajmëruar disa herë së fundmi për provokime të tilla të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e Moskës. “Qëllimi i një spekulimi të tillë mashtrues, pa asnjë argument, është mbrojtja e terroristëve dhe përpjekje për të justifikuar përdorimin e forcës nga jashtë”.

Irani tha se pretendimet e Shteteve të Bashkuara, synojnë arsyetimin e veprimeve të reja ushtarake amerikane.

Një vit më parë, pas një sulmi me armë kimike në Siri, presidenti Trump urdhëroi goditjen më 59 raketa Tomahawk në Siri, duke vënë në shënjestër një bazë ushtarake prej nga ishin ngritur avionët që kishin kryer sulmin kimik.

Presidenti Trump nuk tha se si do të përgjigjet Amerika pas sulmit të së shtunës. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, se “asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”.

Të ngjashme