Pas mbrëmjeve të hallakura të maturës, ku i kanë haxhuar paratë e të tjerëve, maturantët fillojnë ta shohin që jeta reale nuk është një banket me sallama pule, koka-kola e me muzikë tallava.
Ata e ndiejnë se duhet të bëjnë diçka, por shumë prej tyre nuk e dinë saktësisht se çka.
Edhe pse ata janë në konfuzion total (përveç një pakice, që sigurisht e kanë të qartë se çka duan) askush nuk mirret me ta. As shkolla, as familja, as shoqëria, as qeveria. Demek, jemi shoqëri e lirë dhe le të bëjnë si të duan.
Por mosha e tyre është e tillë që ata më të shumtën mund të mos e dinë çka duan. Henri Fordi (1863- 1947) kur e ka zbuluar prodhimin masiv të veturës, ka thënë se po t’i pyeste klientët se çfarë u duhej, ata do t’i kërkonin një kalë më të shpejtë. Pra, ata nuk do të dinin kurrë të kërkonin veturë, sepse nuk e dinin çka ishte.
Ashtu janë edhe shumica e maturantëve tanë, si klientët e Fordit, thjesht nuk dinë çka u duhet. Kush do të duhej të dinte se çka u duhet atyre? Natyrisht, shkolla e familja, ama edhe qeveria me politika orientuese e stimuluese.
Fjala vjen, qeveria do të duhej ta dinte se vendi nuk ka nevojë të regjistrojë 3000 studentë në ekonomik, po vetëm 100, ndërsa tregu evropian i punës jep shenja se duhet të regjistrohen 3000 studentë të rinj në vit në programet e shkencave kompjuterike.
Tregu i punës për profesionet e reja po zgjerohet çdo ditë, ndërsa disa profesione thjesht po shuhen. Prandaj nuk duhet të drejtohen të rinjtë atje ku nuk kanë asnjë perspektivë.
Qeveria ka përgjegjësi për politikat në arsimin e lartë, për planifikim, natyrisht në bashkëpunim me universitetet. Por, qeveritë tona nuk përzihen fort në punët e veta. Pse?
Nuk përzihen, sepse nuk dinë! Nuk kanë strategjistë për fushën e arsimit. Kanë qatipa sa të duash, por jo strateg. Rrjedhimisht të rinjtë mbesin të hutuar. Dhe bëjnë ç’bëjnë e meqë nuk dinë çka të bëjnë, u bëjnë hyxhym kafeneve, disktotekave, disa edhe drogave dhe bastoreve.
Po prindërit ku janë, ç’bëjnë? Me indiferencën dhe me paditurinë e tyre ata faktikisht e përkrahin qeverinë, e cila me politika injorante ua shkatërron të ardhmen e fëmijëve.