Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka pritur në një takim Gjeneralin e KFOR-it Giovanni Fungo.
Temë e diskutimit me Gjeneralin e KFOR-it ishte situata e përgjithshme e sigurisë në vendin tonë dhe çështje tjera me interes për sigurinë e qytetarëve, njofton Policia e Kosovës.
Maxhuni ka falënderuar gjeneralin Fungo për përkrahjen e vazhdueshme dhe ndarjen e mendimeve të përbashkëta për bashkëpunimin ndërmjet dy mekanizmave krucial për çështjet e sigurisë por edhe për projekte të avancimit reciprok.
Në të njëjtën kohë Gjenerali i KFOR-it falënderoi dhe vlerësoi lartë përkushtimin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Format e bashkëpunimit reciprok në parandalimin proaktiv të aktiviteteve të cilat do të afektojnë në sigurinë e përgjithshme në vend dhe rajon do të jenë prioritet në të ardhmen për të dyja palët.