Policia e Kosovës ka mbajtur një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 11 qershor 2017”.
Në takimin morën pjesë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, Jan Braathu shef i misionit të OSBE-së, përfaqësues të lartë nga KFOR-i, EULEX-i dhe Misionit evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, njoftoi të pranishmit lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Ai tha se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
Maxhuni kërkoi nga eprorët e lartë policorë që të gjitha detyrat dhe plani policor për ditën e zgjedhjeve të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë.
Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Gjithashtu në këtë takim nga të gjithë të pranishmit u diskutua për angazhim të plotë në gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe veriun, me qëllim të ofrimit të sigurisë për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve të vendit të ushtrojnë të drejtën e votës pa ndikime dhe pa pengesa.
Të pranishmit u siguruan se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të pa anshme karshi qytetarëve dhe vendit.