Maxhuni: Kemi intervistuar disa persona për sulmin ndaj Kuvendit

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 13:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë lidhur edhe me sulmin ndaj objektit të Kuvendit se deri ku kanë shkuar hulumtimet e policisë në këtë rast.

Duke iu përgjigjur anëtarëve të komisionit, Maxhuni e ka vlerësuar këtë rast si shumë të rëndë dhe me elemente terroriste. Ai ka theksuar se të gjitha njësitë e policisë së Kosovë janë të kyçura 24:00 orë në ditë për këtë rast dhe se janë në hulumtim dhe  analizim më konkret për të ndriçuar rastin.

“Sulmi në Kuvend është sulm serioz, ne në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit e kemi cilësuar si akt terrorist. Polica me të gjitha kapacitet e saj do të bëjë gjithçka për t’i nxjerr para drejtësisë përgjegjësit dhe urdhërdhënësit”.

“Kemi intervistuar disa persona që do të na dërgojnë drejt zbulimit të këtij rasti dhe për shkak të ndjeshmërisë kemi ofruar edhe një shpërblim që kushdo që posedon informacione relevante të na ndihmojnë në zbulim. Besoj që kjo është e mjaftueshme si informatë për ju si deputetë, por edhe për opinionin publik”.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, që është edhe anëtar i Komisionit për Siguri ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë ka rënë në zero dhe ka pyetur drejtorin Maxhuni se a ndjehet përgjegjës për mos-kapjen e aktorëve që qëndrojnë pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Po ashtu edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka pohuar se nuk është koha e lëvdatave dhe se do te ishte shumë më mirë që drejtori i Policisë të vinte me një raport që tregon se kush e ka sulmuar Kuvendin dhe kush ka dhënë urdhër për ta bërë këtë sulm.

Quni, që është edhe ish-komandant lufte i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se mjeti me të cilin është goditur Kuvendi, e siç është raportuar, ishte një anti-tanks, është shumëfish më i fuqishëm se krejt arsenali i armëve që ka polica për përdorim.

Sipas Qunit kjo tregon se në Kosovë ka formacione kriminale që janë të pajisur edhe më mirë se polica.

Në këtë temë janë fokusuar edhe deputetët e tjerë të komisionit.

“Të gjitha njësitet relevante, nga njësiti patrullues e deri tek njësitet e specializuara janë të fokusuara 24 orë pa pushim, duke punuar në ndriçimin e këtij rasti. Duke pas parasysh planin që kemi bërë, besoj që pa përcaktuar afat kohor do të arrimë ta zbulojmë këtë rast”.

I pyetur nga deputetët për rrezikun nga sulmet tjera të mundshme në vendin tonë, Maxhuni tha se masat e sigurisë janë të dukshme por që nuk shihen, “ne i aplikojmë ato në raste kur duhen, i përdorim masat operative, masat konkrete”.

Të ngjashme