Maxhuni tregon kush e dha urdhrin për ndaljen e trenit

Prishtinë | 13 Shk 2017 | 14:33 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se vendimin institucional për ndalimin e hyrjes së trenit në veri të vendit e kanë marrë institucionet e Kosovës, derisa ka shtuar se përgjegjës për menaxhimin operacional të policisë e ka dhënë vet ai.

Ai këto komente i ka bërë gjatë raportimit për situatën e sigurisë në Kosovë para anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, raporton Ekonomia Online.

“Është bërë e qartë edhe nga ministri i Punëve të Brendshme , por edhe nga ana e udhëheqësve institucional dhe shtetëror që vendimin për ndalimin e hyrjes së trenit provokues nga Serbia e kanë marrë krerët e institucioneve shtetërore. Sa i përket të gjitha veprimeve operative në fushën e sigurisë që nënkupton çdo veprim policorë për atë ditë, pra duke i paraparë edhe hyrjen e njësiteve të nevojshme për menaxhimin e atij operacioni i ka dhënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. E thash, ky është realiteti ndërsa vendimin institucional politikë e kanë marrë institucionet e Republikës së Kosovës, unë kam qenë përgjegjës për menaxhimin operacional të angazhimeve policore të asaj dite”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, Daut Haradinaj, ishte i interesuar të dijë se pse erdhi deri të dorëheqja e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj.

“A u bë shkarkimi apo dorëheqja e drejtorit të AKI-së, që nuk ka bashkëpunuar me institucionet e sigurisë që ndërlidhet pikërisht me trenin e famshëm?”

Drejtori Maxhuni, iu përgjigj duke thënë se arsyen e dorëheqjes së tij e ka mësuar përmes publikimit që është bërë në media.

“Të jem shumë i sinqertë si çdo herë dhe unë do të jap në pyetjen tuaj përgjigjen time. Nuk besoj sikurse edhe të gjithë ju unë e kam mësuar arsyen e dorëheqjes së ish drejtorit të AKI-së, përmes publikimit që është bërë, pra përmes njoftimit që ai ka bërë publik. Po ju them me shumë përgjegjësi që Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës në vazhdimësi ka bashkëpunim shumë të mirë dhe qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim te këto dy institucione. Në rrafshin operacional zyrtarët e AKI-së, dhe pjesëtarët e njësive të ndryshme të specializuara të Policisë së Kosovës janë 24 orë në bashkëpunim”, tha Maxhuni.

 

Drejtori i PK-së i bëri sqarimet pasi u pyet nga anëtari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, nëse ka pasur urdhër për ndalimin e trenit.

Në ditën e aksionit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se urdhrin për ndaljen e trenit me përmbajtje të mbishkrimeve provokuese e ka dhënë ai. Sipas tij, sikur ai të mos e bënte një gjë të tillë, treni do të hynte në Mitrovicë. Deklarata ishte kritikuar nga analistë, të cilët kishin thënë se nëse presidenti i ka dhënë urdhër drejtpërdrejt policisë, kjo është shkelje e Kushtetutës.

16735601_1691072470909741_1941745302_o

Të ngjashme