May i thotë Putinit të ndalojë aktivitetet destabilizuese

Prishtinë | 28 Qer 2019 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, i tha presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se vendet e tyre mund të kenë një marrëdhënie ndryshe vetëm nëse Moska e ndalon sjelljen që kërcënon të minojë sigurinë ndërkombëtare, tha zëdhënësja e Mayt.

May, e cila u takua me Putinin në margjina të samitit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, në Osaka të Japonisë, po ashtu i kërkoi Putinit që të dorëzojë dy oficerët e inteligjencës ushtarake ruse, të cilët Britania i fajëson për helmimin me agjent toksik të një ish-agjenti rus dhe të vajzës së tij, vitin e kaluar në qytetin Sallsbëri të Anglisë.

“May i tha presidentit (rus) se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve dypalëshe derisa Rusia nuk e ndalon aktivitetin e saj të papërgjegjshëm dhe destabilizues, i cili kërcënon Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj”, tha zëdhënësja e kryeministres britanike.

Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia janë helmuar me agjentin Noviçok në mars të vitit të kaluar. Të dy ata i kanë mbijetuar sulmit.

Britania ka dëbuar disa diplomatë rusë për shkak të skandalit.

Në një intervistë për gazetën britanike Financial Times, të premten, Putin përsëriti se Rusia nuk ka të bëjë asgjë me helmimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme