Londër, 14 janar – Nëse Parlamenti nuk miraton planin e dakordësuar me Brukselin, atëherë ka të ngjarë që Brexit nuk do të ndodhë, sepse parlamentarët britanikë janë më shumë të prirur për ta bllokuar atë, në vend që të braktisin BE-në pa një marrëveshje, deklaroi kryeministrja britanike Theresa May, në një nga fjalimet e fundit para votimit nesër në Dhomën e Komuneve.
Sipas raporteve të medias britanike, May gjithashtu tha se një refuzim i planit do të shkatërronte besimin te politika.
“U kërkoj parlamentarëve të vlerësojnë pasojat e veprimeve të tyre në besimin e popullit britanik në demokracinë tonë’’, theksoi May.
Lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn tha se partia e tij do të votojë kundër planit të May dhe se do të fillojë procedurat për zgjedhje të parakohshme, nëse marrëveshja e nesërme refuzohet.