Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë të dielën se Britania do të përballet me një situatë të panjohur nëse plani i saj për Brexit do të kundërshtohet nga Parlamenti i Britanisë, më vonë gjatë këtij muaji, transmeton Reuters.
”Ne do të jemi në një territor të panjohur. Nuk mendoj se dikush mund të thotë se çfarë saktësisht do të ndodhë sa i përket reagimit që do ta shohim në parlament”, ka thënë ajo për BBC-në.
Britania pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars mirëpo paaftësia e kryeministres May që të sigurojë mbështetje për planin e saj, ka alarmuar liderë biznesorë dhe investitorët, për shkak të mundësisë së Brexitit pa marrëveshje.
May ka thënë se planifikon që votimi në Parliament të ndodhë rreth datës 15 janar, duke hedhur poshtë raportet se do ta shtyjë votimin sërish.
May pati shtyrë votimin në muajin dhjetor, pasi i ishte bërë e qartë se plani i saj nuk do të miratohej, përveç nëse rishqyrtohet me palën evropiane.
Në një periudhë paqartësie lidhur me hapat e ardhshëm të Brexitit, një sondazh ka treguar se më shumë britanikë dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, në krahasim me ata që përkrahin Brexitin.