Floyd Mayweather e ka konfirmuar se do të kthehet në ringun e boksit edhe për disa meçe të tjera miqësore, si ajo kundër Tenshin Nasukawas. Këtë lajm e konfirmoi vetë boksieri i pensionuar amerikan në një lidhje të drejtpërdrejtë në Instagram.
Ish-kampioni botëror u pensionua pasi e mposhti Conor McGregorin në vitin 2017, mirëpo një vit më vonë u shfaq në një meç miqësor kundër kikboksierit japonez, Nasukawas.
Që nga atëherë, shpeshherë është përfolur se amerikani do të kthehet sërish në ringun e boksit, mirëpo gjatë kohës së fundit këto spekulime ishin lënë nën hije shkaku i kthimit potencial të Mike Tysonit.
Megjithatë, tani Mayweather e ka konfirmuar se do të marrë pjesë edhe në disa meçe të tjera të ngjashme me atë kundër japonezit.
“Unë do t’i zhvilloj edhe dy-tri meçe miqësore. I kam disa që do t’i zhvilloj jashtë vendit. Do të marr mjaftueshëm para”, ka thënë amerikani.
Fillimisht ishte menduar se meçi kundër Nasukawas do të ishte me karakter garues, por kjo kishte ndryshuar më vonë. Përkundër që për meçe miqësore boksierët zakonisht nuk paguhen, Mayweather raportohet t’i ketë marrë nëntë milionë dollarë nga ai meç, të cilin e kishte fituar.