Mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi

Serbi | 02 Pri 2017 | 09:00 | Nga

Mbi 6 milionë e gjysmë serbë zgjedhin të dielën presidentin e ri nga 11 kandidatë sa janë regjistruar për garën presidenciale. Presidenti serb zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Serbisë.

Mandati i presidentit aktual serb, Tomislav Nikoliq, përfundon më 31 maj dhe zgjedhja, ndërkohë që zgjedhjet paraprake janë mbajtur më 2012 kur Nikoliq fitoi garën përballë kandidatit të demokratëve Boris Tadiq.

Zgjedhjet presidenciale serbe zhvillohen edhe në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë dhe vendimin për lejimin e mbajtjes së tyre e deklaroi një ditë përpara kryeministri Isa Mustafa.

Ai tha se “Qeveria e Kosovës ka bërë një marrëveshje me misionin e OSBE-së që qytetarët serbë që kanë dy shtetësi, mund të votojnë edhe në Kosovë, për zgjedhjet presidenciale të Serbisë”.

Misioni në Kosovë i OSBE-së, ndërkaq, ka bërë me dije se “është i gatshëm që të ndërmarrë operacionin e grumbullimit të votave dhe se për këtë qëllim do të hapë 4 qendra me degë përkatëse, që t’iu mundësojë personave me të drejtë vote qasje në këto zgjedhje”.

Zgjedhjet presidenciale serbe në territorin e Kosovës kanë shkaktuar tensione në mesin e shqiptarëve, të cilët nga mesi i javës kanë bllokuar rrugët në, siç kanë thënë, kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve.

Bllokada shkaktoi valën e reagimeve nga BE-ja që kërkoi nga autoritetet në Prishtinë të lirojnë rrugët dhe të mundësojnë fushatën zgjedhore për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Reagoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që e cilësoi bllokadën e rrugëve “bllokim të Kosovës drejt Evropës”.

Por autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se kanë shtuar masat në prag të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, për të mundësuar një mjedis të qetë zgjedhor.(Rel)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme