Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve Lokale 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur fazën e parë të programit të trajnimit. Programi i trajnimit për 260 trajnerët, të cilët do të angazhohen në të gjitha komunat e Kosovës, është zhvilluar sipas planifikimeve me planin operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Ky program është orientuar në disa tema: – Trajnimi për procedurat e votimit dhe numërimit; – Trajnimi për procedurat e votimit të personave me nevoja të veçanta; dhe – Trajnimi për pranimin dhe dorëzimin e materialit zgjedhor.
Trajnerët të cilët kanë përfunduar këtë program trajnimi, në një fazë të mëvonshme, do të përgatisin anëtarët e Këshillave të Vendvotimit të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës.